LAJMI I FUNDIT:

Në rastet e dhunës në familje të veprohet me urgjencë

Në rastet e dhunës në familje të veprohet me urgjencë
Foto: Ilustrim

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku, ka mbajtur takim me të gjitha strukturat të cilat merren me rastet e cilësuara si dhunë në familje, brenda kompetencës së kësaj prokurorie, me qëllim të bashkëpunimit sa më efikas, gjatë trajtimit të këtyre rasteve.

Në takim ishin të pranishëm, prokurorët e caktuar për rastet e dhunës në familje, gjyqtarë, mbrojtësit e viktimave, qendra për punë sociale, zyra për barazi gjinore, sektori për dhunë në familje në polici, strehimorja, përfaqësuesi i OSB-së si dhe përfaqësuesi nga Avokati i Popullit.


Gjatë takimit, Kryeprokurori Maloku, nga të pranishmit, ka kërkuar që të rrisin bashkëpunimin, në mënyrë që trajtimi i rasteve të dhunës në familje të jetë me përparësi absolute, me qëllim që viktimat të trajtohen dinjitetshëm dhe që në kontaktin e parë me këto struktura të krijojnë besim dhe të ndihen të sigurt, pasi që mostrajtimi i duhur i tyre sjell riviktimizim.

Gjithashtu, është kërkuar që gjatë raportimit të rasteve të tilla, të veprohet me urgjencë, në mënyrë që menjëherë të vlerësohet rreziku, të sigurohet viktima dhe të veprohet me urgjencë në marrjen e provave.

Gjatë këtij viti, në këtë prokurori janë pranuar 130 (njëqind e tridhjetë) raste, të cilësuara si dhunë në familje, të natyrave të ndryshme, por që dominojnë kryesisht rastet me lëndime të lehta trupore, lëndime të rënda trupore dhe sulme, si dhe viktimat në të shumtën e rasteve janë femra. /Telegrafi/