LAJMI I FUNDIT:

Në Prishtinë u mbajt Forumi më i madh ekonomik në mes të Kosovës dhe Sllovenisë

Në Prishtinë u mbajt Forumi më i madh ekonomik në mes të Kosovës dhe Sllovenisë

Sot në Prishtinë u mbajt Forumi më i madh ekonomik në mes të Kosovës dhe Sllovenisë.

Drejtori ekzekutiv i Klubit Slloven të Bizneseve, Bajram Fusha tregoi se Forumi i Bizneseve Slloveno-Kosovare, ka mbledhur më shumë se 150 biznese nga Sllovenia dhe Kosova, të cilat pas bisedimeve B2B dhe B2G ndërtuan një agjendë të bashkëpunimit profesional dhe konkret në fushat si ambienti dhe ruajtja e tij, IT, Agrokultura, Ndërtimtaria, përpunimi i ushqimit dhe shërbime të ndryshme.


 “Pika këto për të cilat Klubi Slloven i Bizneseve u zotua se do t’i mbështes të dy palët në shtytjen e proceseve më tutje drejt arritjes së rezultateve konkrete dhe përmirësimit të kushteve në lidhje me respektin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë”, thotë Bajram Fusha.

Ky forum është organizuar nga Oda Sllovene e Bizneseve, Klubi Slloven i Bizneseve, por mikpritës në Kosovë ishte Ministria e Punëve të Jashtme në krye me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollin, i cili priti homologun e tij nga Sllovenia, Karl Erjavec.

Gjithashtu në këtë forum u nënshkrua Protokolli i Komisionit të Përbashkët Ekonomik Kosovë-Slloveni.

Përkrahje e madhe në organizim ka ardhur edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës, Ministria e punëve të Jashtme dhe sidomos nga Ambasada Sllovene në Kosovë.

“Ishte ky një delegacion Diplomatik dhe Ekonomik me një vullnet dhe energji të madhe pozitive e cila energji në bashkëpunim me bizneset kosovare premton suksese të mëdha”.

“Gjithsesi Klubi Slloven i Bizneseve do vazhdojë të organizojë takime me anëtarët sllovenë dhe kosovarë në sesione dhe me ekipe të ndryshme, në muajt në vijim”.

“Lusim bizneset kosovare që për interesat dhe nevojat që kanë të na kontaktojnë, dyert tona janë hapur për biznese me potencial dhe kompetencë tregu”, thuhet në një njoftim.