LAJMI I FUNDIT:

Aksion simbolik në Prishtinë, kundër shembjes së Teatrit në Tiranë

Aksion simbolik në Prishtinë, kundër shembjes së Teatrit në Tiranë

Në shenjë solidariteti me protestat në Tiranë, pas shembjes së objektit të Teatrit Kombëtar, Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka organizuar një aksion simbolik. Këta të fundit po kundërshtojnë veprimin e Qeverisë shqiptare dhe Bashkësisë së Tiranës.

Me thirrjet “Muret i shembët, por jo Teatrin”, “Unë jam Teatri”, të dielën para Teatrit Kombëtar në Prishtinë është organizuar aksion simbolik, ku dhjetëra qytetarë e artistë për më shumë se 10 minuta kanë qëndruar me pankartat në duar, duke respektuar distancën fizike, në shenjat e kuqe që janë bërë te sheshi “Skënderbeu”, në kryeqytet.


Rrënimi i Teatrit Kombëtar në Tiranë: Rezistencë, protesta dhe reagime
Lexo po ashtu Rrënimi i Teatrit Kombëtar në Tiranë: Rezistencë, protesta dhe reagime

Në shenjë solidarizimi kundër shembjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i Gjilanit, Teatri “Hadi Shehu” – Gjakovë”, Teatri “Bekim Fehmiu” – Prizren, Teatri “Adriana” – Ferizaj”, Teatri “Muharrem Qena” – Mitrovicë, Qendra Multimedia”, “Teatri Oda”, Teatri “Urban”, “Etno Teatri – Kukaj”, kanë anuluar shfaqjen “Skënderbeu ose dashuri dhe liri”, e cila ka qenë e planifikuar në kuadër të kalendarit online.

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm është shembur godina historike e Teatrit Kombëtar Shqiptar.

Dhjetëra aktivistë e artistë janë arrestuar dhe dërguar në stacionin policor të mëngjesit të sotëm, përfshi këtu edhe gazetarë.