LAJMI I FUNDIT:

Në Onkologji vihet në funksion akseleratori i dytë, synohet të ulet lista e pritjes së pacientëve me sëmundje malinje

Në Onkologji vihet në funksion akseleratori i dytë, synohet të ulet lista e pritjes së pacientëve me sëmundje malinje

Në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës sot është vënë në funksion akseleratori i dytë, i cili ndihmon pacientët e prekur nga sëmundjet malinje.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti para mediave tha se aparatura është e teknologjisë së fundit dhe vlera e të cilit është mbi 1 milion euro, transmeton Telegrafi.


“Erdhëm të bëjmë përurimin e akseleratorit të dytë, i cili është i teknologjisë më moderne, që në kuadër të radioterapisë bën rrezatimin me rreze jodizuese, me saktësi në luftimin e tumoreve, dhe duke mos dëmtuar edhe indet tjera rrotull. Kjo teknologji i përshtatet sipërfaqes së tumorit dhe arrin të mos bëjë dëmtime anësore. Vlera e tij është 1 milion e 400 mijë euro”, u shpreh Kurti.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se sot është ditë shumë e rëndësishme.

“Ditë e rëndësishme, sidomos për pacientët e prekur me sëmundjet malinje. Lista e pritjes që ka ekzistu çdo herë deri në fund të këtij viti do të bëhet 0”, pohoi ai.

Ndërsa, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, tha se nevoja për trajtim jashtë Kosovës tashmë do të jetë minimale, pasi sipas tij, pacientët do ketë trajtim modern dhe meritor.

“Me këtë investim në aparaturën e re pacientët tanë do të kenë trajtim modern dhe meritor. Ne për herë të parë në Kosovë do të përdorim edhe një teknikë të re të rrezatimit, e cila quhet ‘streo-taksik’ dhe e cila bëhet për forma të veçanta të tumoreve të lokalizuara në tru apo vende të tjera të trupit.

Nga viti tjetër pacientët që e kanë marrë këtë shërbim jashtë Kosovës tani do të merr në Kosovë”, theksoi Kurtishi. /Telegrafi/