LAJMI I FUNDIT:

Në Kosovë s’ka kontroll për cilësi të naftës

Në Kosovë s’ka kontroll për cilësi të naftës

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka thënë se në Kosovë sfidë mbetet moskontrollimi i cilësisë së naftës pasi, sipas tij, as dy për qind e saj nuk është kontrolluar.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Berjani ka kritikuar Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë sa i përket cilësisë së naftës dhe dhënies së licencave të kompanive. Ai ka thënë se në këtë drejtim MTI-ja nuk ka bërë asgjë. “Problemet qëndrojnë tek Ministria e Tregtisë dhe Industrisë”, ka thënë ai. Berjani ka bërë me dije se naftëtarët në Kosovë përballen me sfida të ndryshme.

Ai e ka ftuar MTI-në të ndërmarrë masa për parandalimin e kontrabandimit apo shitjes së naftës në pjesën e veriut.

“Epoka e re”: Z. Berjani, cilat janë sfidat me të cilat po përballen naftëtarët në Kosovë?

Berjani: Sfidat janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga mosrespektimi i Ligjit nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e deri te favorizimet e kompanive të caktuara. Jemi ballafaquar që nga fillimi i punës me afatin e licencave. Askund në botë nuk ka licencë dyvjeçare, sepse për pika karburanti licenca duhet të jetë 10-vjeçare, që për herën e parë tani duhet të jetë e përhershme. Sa i përket rifiskalizimit, ne si shoqatë e kemi ngritur zërin dhe arritëm ta ulim çmimin nga 18 mijë e 500 euro në 4 200 euro. Në Kuvendin e fundit, anëtarët e shoqatës tanë e përkrahën në mënyrë unanime instalimin e softuerit të propozuar nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, ku me këtë softuer bizneset përfitojnë lehtësira dhe nuk do të kenë kosto shtesë, pasi të dhënat regjistrohen në kohën reale. Kurse sa iu përket kyçjeve në rrugë për pika karburanti, askund nuk paguhet taksë vjetore. Pra, taksa vjetore paguhet vetëm kur të merret leja e ndërtimit. Po ashtu, në komisionin për autorizime për trupat inspektuese ka ndërhyrë kabinetit i MTI-së, edhe përkundër se komisioni tri herë i ka dhënë rekomandime negative, më në fund ajo trupë është autorizuar. Hykmete Bajrami në medie deklarohet se trupat inspektuese operojnë jashtëligjshëm.
Sfidë tjetër mbetet moskontrolli i cilësisë së naftës, pasi as dy për qind e saj nuk është kontrolluar. Problem është edhe dhënia e tenderit të një kompanie të vetme, rreth 15 milionë euro. Ky tender u nda në gjashtë lloto dhe kompanitë kanë të drejtë vetëm një lloto ta marrin. Pra, ky është tenderi i Qeverisë për derivate. Ne si shoqatë kemi kërkuar që tenderi të ndahet në gjashtë lloto. Problem tjetër është edhe mosprocedimi i Ligjit në Kuvend. Shoqata e Naftëtarëve e ka përkrahur Ligjin e Naftës që ka kaluar në Komision për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, kurse MTI-ja e ka tërhequr këtë ligj në momentin kur është dashur të votohet. Ministrja Bajrami po mundohet ta kalojë një ligj të korruptuar, të centralizuar dhe që ka favore. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj ata deputetë që nuk do të lejojnë të kalojë një ligj i tillë. /Telegrafi/