LAJMI I FUNDIT:

Në Bresanë të Dragashit organizohet festivali mbarëkombëtar “Opoja Vallëzon”

Në Bresanë të Dragashit organizohet festivali mbarëkombëtar “Opoja Vallëzon”

Këtë vit Shoqëria Kulturore-Artistike “Bresana”, e cila ka performuar pothuajse në të gjitha trojet shqiptare, ku ka prezantuar vlerat dhe traditat e trevës së Opojës, shënon njëzetvjetorin e ri-aktivizimit dhe daljes në skenë.

Bëhet fjalë për një shoqëri artistike e cila gjatë pjesëmarrjes në disa festivale mbarëkombëtare është shpërblyer me disa çmime.

Dhe me rastin e shënimit të përvjetorit të njëzetë, udhëheqësit e shoqërisë artistike kanë vendosur që ndër tjerash të organizojnë edhe një ngjarje mbarëkombëtare, folklorike dhe burimore, festivalin “Opoja Vallëzon”, në të cilin pritet të marrin pjesë ansamble dhe shoqëri artistike nga të gjitha trojet shqiptare.

Këtë e ka bërë të ditur për Telegrafin, Fejsal Shaqiri, drejtor i festivalit, i cili ka thënë se ky aktivitet është mbështetur edhe nga Kuvendi Komunal i Dragashit.

Siç ka thënë Shaqiri, një festival i tillë është vendosur të organizohet këto ditë edhe për shkak të prezencës më të madhe të bashkatdhetarëve tanë dhe se ai pritet të shndërrohet në një festival tradicional.

Duke folur për kohën e mbajtjes së festivalit, Shaqiri ka bërë të ditur se ngjarja do të organizohet në ambient të hapur në oborrin e shkollës “28 Nëntori” në Bresanë, me datë 25, 26 dhe 27 korrik, duke shtuar se aty çdo ditë do të prezantojnë shoqëri të ndryshme dhe se programi do të zgjasë deri në dy orë, për secilën mbrëmje – duke filluar nga ora 19:00.

Përveç festivalit, drejtor artistik i të cilit është mjeshtri i koreografisë Dilaver Kryeziu, Shaqiri ka thënë se gjatë këtyre ditëve, do të ketë dhe aktivitete të tjera dhe se festivali do të ketë edhe karakter garues dhe vlerësimi do të bëhet nga një juri profesionale. /Telegrafi/