LAJMI I FUNDIT:

Në betejën kundër koronavirusit, njerëzimit i mungon lidershipi

Në betejën kundër koronavirusit, njerëzimit i mungon lidershipi

Shumë njerëz fajësojnë globalizimin për epideminë e koronavirusit dhe mendojnë se e vetmja mënyrë është de-globalizimi i botës. Ndërtimin e mureve, kufizimin e udhëtimeve, kufizimin e tregtisë. Gjithsesi, teksa karantina afatshkurtër është thelbësore për të ndalur epideminë, izolimi afatgjatë do të çojë në një kolaps ekonomik pa ofruar asnjë mbrojte nga sëmundja infektuese. Ne fakt, është krejt e kundërta. Antidoti i vërtetë ndaj epidemisë nuk është izolimi, por bashkëpunimi.

Epidemitë kanë vrarë miliona njerëz kohë përpara se ditët e sotme të globalizimit. Në shekullin e XIV-të nuk kishte aeroplan apo anije turistike, por sërish Murtaja e Zezë u shpërnda nga Azia Lindore në Evropën Perëndimore në më pak se një dekadë. Vrau diku, 75 deri në 200 milionë njerëz, më shumë se çerekun e popullsisë së Euroazisë. Në Angli, katër nga dhjetë njerëz vdiqën. Qyteti i Firences humbi 50 mijë banorë, nga 100 mijë që kishte.


Në mars të vitit 1520, në Meksikë zbriti Francisko de Eduia i cili mbartte sëmundjen e lisë. Në atë kohë, në Amerikën Qendrore nuk kishte trena, autobusë dhe madje as gomerë. Por, deri në dhjetor të atij viti, një epidemi e lisë shkatërroi të gjithë Amerikën Qendrore, ku sipas të dhënave të përafërta mendohet se vrau një të tretën e popullsisë.

Në vitin 1918, shpërthimi i një gripi u përhap brenda pak muajve në të gjitha qoshet e globit. Ai infektoi gjysmë miliard njerëz, më shumë se çerekun e popullsisë së botës. Mendohet se ai grip vrau pesë për qind të popullsisë së Indisë. Në ishullin e Tahitit vdiqën 14 për qind e popullsisë. Në Samoa vdiqën 20 ppër qind. E gjithë pandemia vrau dhjetëra milionë njerëz, ndoshta rreth 100 milionë, dhe kjo në më pak se një vit. Vrau më shumë se katër vitet brutale të Luftës së Parë Botërore.

Në shekullin e kaluar, që nga viti 1918 njerëzimi u bë më i prekshëm nga epidemitë për shkak të rritjes së popullsisë dhe transportit. Metropolet moderne si Tokio apo Meksiko Siti, ofrojnë bazë patogjene më të madhe se sa Firence e Mesjetës dhe rrjeti global i transportit është më i shpejtë sesa në vitin 1918.

Një virus mund të mbërrijë nga Parisi në Tokio apo në Meksiko Siti në më pak se 24 orë. Ndaj, duhej ta kishim paraprirë ferrin nga infektivi, nga një murtajë vdekjeprurëse, në një tjetër. Gjithsesi, si ndikimi ashtu edhe impakti i epidemive kanë rënë në mënyrë dramatike.

Pavarësisht nga shpërthimet e tmerrshme si AIDS-i dhe Ebola, epidemitë e shekullit të XXI-të vrasin më pak se ç’kanë vrarë njerëz në kohë të hershme që nga Epoka e Gurit. Kjo për shkak se mbrojta më e mirë kundër viruseve nuk ka qenë izolimi, por informacioni. Njerëzimi ka fituar luftërat kundër epidemive, sepse në betejat midis mikrobeve dhe mjekëve, mikrobet mbështeten tek mutacionet qorre, ndërsa mjekët tek informacioni analizues shkencor.

Teksa Murtaja e Zezë mbizotëroi në shekullin e XIV-të, njerëzit nuk e kishin idenë se çfarë e shkaktoi dhe se çfarë duhet të bënin me të. Deri në kohët moderne, njerëzit zakonisht i fajësonin sëmundjet për shkak të zemërimit të perëndive, demonëve apo edhe ajrin e keq, dhe nuk dyshonin aspak për mikrobe apo viruse. Njerëzit besonin në engjëj dhe përralla, por ata nuk mund ta imagjinonin se një pikë uji e ndotur përmbante një armatë të tërë grabitqarësh vdekjeprurës. Ndaj, kur mbërriti Murtaja e Zezë apo Lija, e vetmja gjë që mund të bënin autoritetet e kohës ishte të organizonin lutje masive ndaj zotave apo të shenjtëve. Nuk funksiononte. Në fakt, kur njerëzit mblidheshin bashkë për lutje masive, në të shumtën e rasteve kjo shkaktonte infeksione në masë.

Në shekullin e kaluar, shkencëtarët, doktorët dhe infermierët, falë informacionit arritën të kuptojnë mekanizmin pas epidemive dhe bashkë me to të mjeteve për t’i luftuar. Teoria e evolucionit shpjegonte pse dhe si sëmundjet e reja shpërthenin dhe ato të vjetrat ktheheshin më agresive. Shkenca e gjenetikës mundësoi që ekspertët të shohin manualin e përdorimit të mikrobeve.

Teksa njerëzit në Mesjetë nuk e zbuluan kurrë se çfarë e shkaktoi Murtajën e Zezë, sot shkencëtarëve iu desh vetëm dy javë të identifikojnë koronavirusin, të rendisin gjenonim, dhe të nisin zhvillimin e testeve të besueshme për të zbuluar personat e infektuar. Teksa shkencëtarët kuptojnë çfarë e shkakton epideminë, bëhet më e thjeshtë për ta luftuar atë. Vaksinimi, antibiotikët, përmirësimi i higjienës dhe një infrastrukturë më e mirë mjekësore kanë mundësuar për njerëzimin të jetë një hap para nga grabitqarët e padukshëm.

Më 1967, Lija infektoi 15 milionë njerëz dhe vrau dy milionë prej tyre. Por, në dekadën e ardhshme, një fushatë vaksinimi kundër Lisë ishte e suksesshme dhe në 1979, Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se njerëzimi fitoi dhe se Lia ishte zhdukur krejtësisht. Më 2019, asnjë person nuk është infektuar apo të ketë vdekur nga ajo.

Por, çfarë na mëson kjo histori në situatën aktuale të epidemisë nga koronavisusi?

Së pari, na tregon se ju nuk mund të mbroni veten duke mbyllur kufijtë. Mbani mend se epidemitë u përhapën me shpejtësi në Mesjetë, shumë kohë përpara globalizimit. Ndaj edhe kur redukton komunikimin global, siç bëri Anglia e vitit 1348, sërish nuk do të ishte e mjaftueshme. Të mbrosh vetveten përmes izolimit duke u kthyer në Mesjetë nuk të bën punë. Ndoshta do të duhet të kthehesh në Epokën e Gurin. Mund ta bësh dot këtë?

Së dyti, historia në tregon se mbrojta reale vjen nga ndarja e informacionit të mirë shkencor dhe nga solidariteti global. Kur një vend ngec në epidemi, do të duhet të ndajë me ndershmëri informacionin pa pasur frikën e ndonjë katastrofe ekonomike, ndërsa vendet e tjera do të duhet të besojnë këtë informacion dhe duhet që të shtojnë ndihmën për vendin e prekur, në vend që të mbyllin kufijtë. Sot Kina mund të mësojë të gjithë vendet e botës sesa i rëndësishëm ishte mësimi nga koronavirusi, por kjo kërkon një nivel të lartë besimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Bashkëpunimi ndërkombëtar duhet edhe për masat efektive të karantinës. Karantina dhe mbyllja e aktiviteteve janë thelbësore për të ndalur përhapjen e epidemive. Por, kur një vend nuk ka besim tek një tjetër dhe secili mendon për vete, qeveritë hezitojnë të marrin masa drastike. Nëse ju zbuloni 100 raste me koronavirus në vendin tuaj, a do të mbyllni menjëherë aktivitetet në gjithë qytetin apo rajonin? Për rezultat më të mirë kjo do të varej se çfarë pritshmërie ke nga vendet e tjera.

Mbyllja e aktiviteteve në qytetet tuaja mund të çojë në kolaps ekonomik. Nëse ju mendoni se vendet e tjera do të vijnë në ndihmë, me siguri do të merrnit masat drastike. Por, nëse mendoni se vendet e tjera do ju braktisin, atëherë me shumë siguri do të hezitonit për masa drastike derisa të jetë tepër vonë.

Ndoshta gjëja më e rëndësishme që njerëzit duhet të kuptojnë ndaj epidemive të tilla është se përhapja në çdo vend të mundshëm vendos në rrezik të gjithë qeniet njerëzore. Kjo për shkak se viruset evoluojnë. Viruset si koronavisuri nisin fillimisht tek kafshët, si tek lakuriqët e natës. Kur ato kalojnë tek njerëzit, fillimisht nuk pranohen nga trupat njerëzore. Por, teksa rivizitojnë njerëzit, me raste viruset zhvillojnë mutacion.

Shumica e tyre janë të dëmshëm. Një mutacion mund ta bëjë më infektues ose rezistent në sistemin imunitar të njeriut dhe më pas mund të shpërndahet me shpejtësi në popullatë.

Përderisa një person i vetëm mund të mbajë trilionë grimca të virusit, çdo i infektuar i jep trilionë mundësinë virusit për t’u bërë i pranueshëm për trupat njerëzorë. Çdo individ njerëzor është si një nga ato makinetat e kumarit që i jep virusit trilionë bileta lotarie dhe atij i duhet vetëm një biletë fituese për t’u kthyer në kërcënues.

Kjo nuk është spekulim i thjeshtë. Richard Preston në librin “Krizat në Zonën e Kuqe”, përshkruan saktësisht zinxhirin e ngjarjeve në shpërthimin e Ebolës në vitin 2014. Përhapja nisi kur disa viruse të Ebolës kaluan nga Lakuriqi i Natës tek njeriu. Këto viruse i sëmurën shumë rëndë njerëzit, por sërish ato ishin të përshtatura të jetojnë tek lakuriqët e natës, më shumë sesa tek njerëzit. Ajo çfarë e ktheu Ebolën nga një sëmundje e rrallë në një epidemi ishte mutacioni në një gjen të virusit të Ebolës që infektoi një person të vetëm, diku andej në zonën e Makonës në Afrikën Perëndimore. Mutacioni i quajtur Makona, lidhej me transportuesit e kolesterolit të qelizave njerëzore duke u kthyer në katër herë më shumë infektues tek njerëzit.

Teksa po lexon këto rreshta, ndoshta një mutacion i ngjashëm është duke ndodhur në një gjen të vetëm të koronavisusit që mund të infektojë ndonjë person në Teheran, Milano apo Vuhan. Nëse kjo do të ndodhë, do të ishte një kërcënim jo vetëm për iranianët, italianët apo kinezët, por, i gjithë jetës sonë. Njerëzit në çdo cep të botës ndajnë të njëjta interesa të jetës dhe vdekjes për t’i mos i dhënë këtë mundësi koronavisurit. Kjo do të thotë se duhet të mbrojmë çdo person, në çdo vend të botës. Në vitet 1970, njerëzimi arriti të mundë sëmundjen e Lisë sepse të gjithë njerëzit u vaksinuan. Nëse një vend i vetëm do të dështonte në vaksinimin e popullsisë, mund të vinte në rrezik të gjithë njerëzimin sepse për sa kohë virusi i Lisë ekziston dhe zhvillohej diku, ai sërish do të përhapej.

Në luftën kundër viruseve, njerëzimi duhet të ruajë kufijtë. Por, jo kufijtë mes vendeve. Në fakt i duhet të ruajë kufijtë mes botës njerëzore dhe viruseve. Planeti Tokë po bashkohet nga viruse të shumta dhe viruse të reja po zhvillohen për shkak të mutacioneve gjenetike. Vija kufitare që ndan këtë botë virusesh nga bota njerëzore kalon në brendësi të çdo qenie njerëzore. Nëse një virus i rrezikshëm arrin të penetrojë brenda këtij kufiri kudo të mundet në botë, vendos në rrezik të gjitha qeniet njerëzore.

Që nga shekulli i kaluar, njerëzimi ka fortifikuar kufijtë e tij më shumë se asnjëherë. Sistemet moderne të shëndetësisë janë ndërtuar për të shërbyer si një mur në kufi dhe infermierët, doktorët, shkencëtarët janë rojet që patrullojnë e sprapsin të padëshiruarit. Gjithsesi, shumë seksione të këtij kufiri janë lënë mjerisht të ekspozuara. Ka me qindra milionë njerëz në botë që nuk kanë asnjë sistem bazë shëndetësor.

Kjo gjendje na rrezikon të gjithëve. Ne jemi mësuar të mendojmë për sistemin shëndetësor në nivel shtetesh, por një sistem më i mirë shëndetësor për iranianët apo kinezët ndihmon gjithashtu në mbrojtjen e izraelitëve dhe amerikanëve nga epidemia. Kjo e vërtetë e thjeshtë duhet të jetë e qartë për këdo, por fatkeqësisht nuk është e tillë për disa nga njerëzit më të rëndësishëm të kësaj bote.

Njerëzimi përballet sot me një krizë akute jo vetëm për shkak të koronavirusit, por edhe për shkak të besimit mes vendeve. Për të mundur një epidemi, njerëzit duhet t’u besojë shkencëtarëve, qytetarët autoriteteve publike dhe shtetet njëri-tjetrit. Në vitet e fundit, politikanë të papërgjegjshëm kanë minuar qëllimisht besimin tek shkenca, tek autoritetet publike dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Si rezultat, ne tani po përballemi me një krizë të udhëheqësve globale që duhet të frymëzojnë, organizojnë dhe të financojnë një reagim të koordinuar global.

Gjatë epidemisë së Ebolës më 2014, ShBA-të shërbyen si lider. ShBA-të përmbushën një rol të ngjashëm në krizën financiare të vitit 2008 teksa mbështeten shumë shtete për të ndaluar krizën ekomomike. Por, vitet e fundit ShBA-të janë tërhequr nga roli si vend lider i botës. Administrata aktuale e SHBA-ve ka ndaluar mbështetjen për organizatat botërore si ajo e Shëndetësisë dhe e ka bërë të qartë në mbarë botën se ShBA-të nuk kanë më miq të vërtetë po vetëm interesa. Kur shpërtheu kriza e koronavisursit, ShBA-të qëndruan në vend dhe deri tani nuk kanë marrë rolin e liderit. Edhe nëse tani do tentonte të merrte lidershipin, besimi tek administrata aktuale është gërryer aq shumë, sa shumë pak vende do kishin vullnet për ta ndjekur nga pas. A do ndiqnit ju një lider që për moto ka “unë i pari”?

Zbrazëtia e lënë nga ShBA-ja nuk është mbushur nga askush tjetër. Në fakt, është e kundërta. Ksenofobia, izolacionizmi dhe mosbesimi karakterizojnë shumicën e sistemit ndërkombëtar. Pa besim dhe solidaritet global ne nuk do të mund të ndalim epideminë e koronavirusit dhe me shumë gjasë do të shohim epidemi të ngjashme në të ardhmen. Por, çdo krizë është gjithashtu mundësi. Fatmirësisht epidemia aktuale do ta ndihmojë njerëzimin të kuptojë rrezikun që mbart ndarja globale.

Le të marrim një shembull. Epidemia mund të jetë një mundësi e artë për Bashkimin Evropian për të rifituar mbështetjen popullore që ka humbur në këto vite. Nëse shumica e vendeve fatlume anëtare të BE-së do të ndihmojnë me gjenerozitet, me para, me pajisje dhe me personel mjekësor për të ndihmuar vendet kolege anëtare, më të goditurat, kjo do të shërbente për të vërtetuar idealin evropian më shumë se çdo gjë. Nëse, në anën tjetër, çdo vend do të lihet në fatin e vetë, atëherë epidemia do të tingëllojë si vdekja e unionit. Në këtë moment krize, lufta thelbësore zhvillohet brenda vetë njerëzimit.

Nëse kjo epidemi çon në përçarje dhe mosbesim më të madh tek njerëzit, do të jetë fitorja më e madhe e virusit. Kur njerëzit grinden, viruset dyfishohen. Në të kundërt, nëse epidemia sjell një bashkëpunim më të ngushtë global, atëherë do të jetë një fitore jo vetëm kundër koronavirusit, por kundër të gjitha patogjenëve të ardhshëm. /Përgatiti për Mapo: Erald Kapri/