Autoritetet austriake kanë arrestuar një ish-zyrtar të lartë të forcave të sigurisë së regjimit të Bashar al-Assadit, i cili akuzohet për përfshirje në krime të rënda lufte dhe tortura ndaj civilëve gjatë protestave antiqeveritare në Siri.

I arrestuari, brigadier-gjenerali Khaled al-Halabi, 62 vjeç, jetonte në Austri që nga viti 2015. Së bashku me një ish-zyrtar tjetër të regjimit, ai akuzohet se ka qenë përgjegjës për dhunë të organizuar në qendrat e paraburgimit, duke përfshirë plagosje të rënda, tortura dhe abuzime seksuale ndaj të ndaluarve civilë.


Prokuroria austriake tha se qëllimi i veprimeve ishte “të frikësonin popullsinë dhe të shuanin çdo formë rebelimi kundër regjimit të Assadit”.

Hetuesit kanë identifikuar të paktën 21 viktima që kanë pësuar pasoja të përhershme nga dhuna e ushtruar.

Çështja ka marrë vëmendje të posaçme ndërkombëtare edhe për një tjetër arsye: sipas raportimeve të mediave perëndimore, përfshirë New York Times, al-Halabi kishte arritur të largohej nga Siria në vitin 2013 me ndihmën e shërbimit sekret izraelit, Mossad, duke vepruar si agjent i dyfishtë.

Ai u transportua përmes disa vendeve evropiane deri në Austri, ku dyshohet se ka qëndruar nën mbrojtje të zyrtarëve lokalë të inteligjencës. Disa prej këtyre zyrtarëve janë më vonë hetuar për abuzim me detyrën.

Zbulimet për rolin e gjeneralit vijnë në një kohë kur, sipas autoriteteve siriane të reja, janë gjetur varreza masive pranë Damaskut, që lidhen me represionin e regjimit të mëparshëm. Qeveria e re në Damask ka deklaruar se dënimi i ish-zyrtarëve përgjegjës për krime lufte është “prioritet absolut”.

Al-Halabi pritet të dalë para gjykatës në ditët në vijim, ndërsa organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e kanë cilësuar arrestimin e tij një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë për viktimat e torturave të regjimit sirian. /Telegrafi/