Dafina Zeqiri ka njoftuar se është ndryshuar lokacioni i koncertit të saj “Supernova”, i cili do të mbahet për dy net rresht, më 25 dhe 26 dhjetor.

Sipas këngëtares, koncerti është zhvendosur në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.


Fillimisht ngjarja ishte paraparë të mbahej në Sallën “1 Tetori”, por lokacioni është ndryshuar për shkak të zgjedhjeve emergjente që do të zhvillohen më 28 dhjetor.


“Njoftim zyrtar – Ndryshim i lokacionit të koncertit “Supernova”. Të nderuar. Ju njoftojmë se për arsye institucionale dhe të pavarura nga organizimi ynë, Salla 1 Tetori do të përdoret nga autoritetet e KQZ për procesin zgjedhor në datat e planifikuara të koncertit. Për këtë arsye, dhe në bashkëpunim të plotë me institucionet kompetente, eventi “Supernova – Dafina Zeqiri” do të zhvendoset në: Salla e Madhe – Pallati i Rinisë (Boro Ramiz), Prishtinë”, ka njoftuar artistja në llogarinë e saj zyrtare.

“Ky ndryshim na mundëson të ruajmë datat, cilësinë dhe standardin e lartë të prodhimit që kemi planifikuar, duke ofruar një përvojë edhe më të mirë për publikun. Të gjitha biletat e blera mbeten të vlefshme dhe nuk kërkojnë asnjë veprim shtesë nga ana e juaj”, ka shkruar tutje.