LAJMI I FUNDIT:

Ndryshimi i TVSH-së, shumë efekte për bizneset, pak efekt për konsumatorët

Ndryshimi i TVSH-së, shumë efekte për bizneset, pak efekt për konsumatorët

Me pompozitet nga Qeveria e Kosovës është proklamuar pakoja e re fiskale, ku është përfshirë edhe ndryshimi i TVSH-së, ulja për shumë pak produkte nga 16 në 8 për qind, si dhe rritja e TVSH-së prej 16 në 18 për qind për shumicën e produkteve.

Këto efekte, sipas njohësve të ekonomisë, më të mëdha kanë qenë për bizneset se sa tek qytetarët.


E drejtuesit e Qeverisë kanë thënë se në fillim, qëllimi ka qenë që pakoja e re fiskale dhe ndryshimi i TVSH-së të ketë efekte më të mëdha të bizneset.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi ka thënë se qëllimi i pakos fiskale ka qenë që në fazën e parë të ketë efekte më të mëdha për bizneset.

Sipas tij, efektet nuk janë vërejtur shumë.

“Pjesa e parë e pakos fiskale është kryer, tash është duke u përgatitur pjesa e dytë e pakos fiskale e cila do të fokusohet tek pushimet tatimore dhe të disa lirime të tjera. Në fazën e parë është ditur se do të jetë më pozitive për bizneset. Por në kuptimin e afatmesëm dhe afat shkurtër duhet të jep efektet edhe në punësim. Efektet janë duke u vërejtur, por jo shumë. Këto efekte më të mëdha duhet të jenë në periudhën e ardhme”, thotë Krasniqi.

Ndryshimi i TVSH-së nga 16 në 18 për qind ka bërë që për shumicën e produkteve TVSH-ja të rritet për 12.5 për qind në total, shkruan Telegrafi.

Ndërkaq, drejtori i Institutit për Studime Strategjike dhe Sociale STRAS, Ibrahim Rexhepi ka thënë për telegrafin se efektet e pakos fiskale të ndërmarra nga qeveria e Kosovës më shumë janë vërejtur te bizneset se sa të qytetarët.

“Pakoja fiskale ka pasur për synim që më tepër t’i ndihmoj bizneset duke ua lehtësuar punën. Ndërsa më pak fokus ka pasur te konsumatori. Duke e pasur parasysh diçka nuk ka pasur rritje e fuçisë blerëse të konsumatorit apo uljes e çmimeve. Realisht shkalla e inflacionit është e njëjtë sikur para ndryshmit të TVSH-së, e po ashtu dhe pas. Në këtë fazë hairin pakos fiskale ia kanë parë vetëm bizneset”, ka thënë Rexhepi.

Qytetarë të ndryshëm kanë treguar se nuk janë vërejtur efekte nga ndryshimi i TVSH-së në shportën e tyre.

Siaps tyre, një bukë, edhe para ndryshimeve fiskale ka qenë 30 centë, e po ashtu edhe bileta e autobusit urban në Prishtinë ka mbetur në vlerë prej 40 centëve. /Telegrafi/