Ndotja e Liqenit të Ohrit alarmon ekspertët, biologët kërkojnë masa urgjente për mbrojtjen e tij

Mijëra shishe plastike dhe lloje të tjera mbetjesh plastike gjatë periudhës së fundit mund të shihen përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit, nga “Shën Naumi” deri në Radozhdë. Bëhet fjalë për mbeturina që shpesh hidhen nga njerëzit.
Biologët paralajmërojnë se nevojitet rreth gjysmë shekulli që plastika të shpërbëhet.
„Sigurisht që njerëzit e hedhin këtë mbetje dhe bëhet fjalë për faktor njerëzor, por mendoj se organet komunale duhet të jenë më aktive për këtë çështje dhe këtë problem. Ky lloj i mbetjes që hidhet ndikon drejtpërdrejt te bota e gjallë, bimore dhe shtazore, në Liqenin e Ohrit, dhe disa të dhëna tregojnë se në rreth 50 vitet e ardhshme kjo mund të rrezikojë edhe atë që është endemike në liqen,“ tha Bekim Ziba – biolog.
Me çdo valë më të madhe dhe erë jugore, liqeni nxjerr në sipërfaqe gjithë pakujdesinë e njeriut.
„Kryesisht kemi mbledhur kallamishte, ndërsa më herët, para Vitit të Ri, kishte edhe plastikë. A duhet njerëzit të sillen më me kujdes ndaj liqenit? Duhet të jemi më të kujdesshëm, që të jetë më bukur për ne. A vjen një pjesë e mbetjeve nga lumenjtë që derdhen në liqen? Kryesisht po, nga vetë lumenjtë. Gjithçka që hidhet, përfundon në liqen, si e mira ashtu edhe e keqja,“ u shpreh Petko Stojanoski – mirëmbajtës plazhi.
Aktivistët e mjedisit thonë se është e nevojshme të forcohen kapacitetet e inspektoratit komunal, i cili duhet të ndjekë rrjedhën e këtyre lumenjve dhe të identifikojë të gjitha burimet e ndotjes.
„Është e domosdoshme të rritet ndërgjegjësimi i popullsisë lokale që jeton përgjatë këtyre lumenjve, sepse hidhen si mbetje të ngurta, ashtu edhe produkte bujqësore, mbetje ndërtimore, kryerje e ndërhyrjeve pa leje,“ spjegoi Gjoko Zoroski – ekolog.
Çdo vit, edhe klubet e zhytjes nga Ohri dhe Struga, në aksionet që organizojnë, nxjerrin nga fundi i liqenit goma makinash, plastikë, hekur, por edhe pajisje shtëpiake dhe orendi. /Alsat.mk




















































