Në Kosovë, numri i qytetarëve që përdorin internetin është në rritje e sipër, nga viti në vit. Gjithashtu, numri i përdoruesve të platformave të rrjeteve sociale është në rritje e sipër.

Burimi: “E-commerce4All”

Raporti Evropian i Tregtisë Online, i prezantuar nga platforma “E-Commerce4All”, ka krahasuar vendet e CEFTA-s, dhe Kosova ka përqindjen më të lartë të përdoruesve të internetit prej 97 për qind – më të lartën krahasuar me vendet tjera. (https://ecommerce4all.eu/ecommerce-data/internet-use-and-e-shoppers/)

Por, në të njëjtën kohë përdorimi e qasja në internet edhe përdorimi i platformave të rrjeteve sociale shpesh janë përdorur edhe për të bërë dezinformata, propagandë, lajme që nxisin prishje të imazhit dhe kredibilitetit si dhe konspiracione nga COVID-19 etj.

Se ka shumë çrregullime të informacionit, lajme të pavërteta, e kanë vërtetuar edhe shumë raporte të organizatave vendore e ndërkombëtare që kanë bërë monitorim të mediave tradicionale, mediave online dhe platformave sociale.

Gjithashtu, gjatë kësaj kohe ka pasur edhe shtim të lajmeve me narrativ anti-Kosovë në gjuhën shqipe, në mediat online, në të cilat nuk dihet kush është pronari, kryeredaktori e as gazetarët.

Këtë e konfirmon edhe “Raportimi i lajmeve nga portalet online – rrjetet sociale dhe ndikueshmëria tek publiku nga organizata Demokraci për Zhvillim (D4D).

“Të gjeturat kryesore të këtij hulumtimi tregojnë se gjatë periudhës janar-mars ka pasur një numër të madh të lajmeve të ndikimit nga jashtë, ku pjesa më e madhe e këtij raporti përfshijnë narrativat rreth agresionit të Rusisë mbi Ukrainën dhe ndikimit të saj në marrëdhëniet rajonale – sidomos ato mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në gjetjet kryesore të raportit.

Pra, raporti ka monitoruar edhe mënyrën se si mediat online në Kosovë kanë raportuar për agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe se çfarë lloj narrative është përdorur edhe në gjuhën shqipe dhe atë serbe.

Gjithashtu, karakteristikë e këtij raporti, që ka dalë nga monitorimi i portaleve online dhe rrjeteve sociale, janë artikujt me përmbajtje të gjuhës së ashpër, gjuhës së urrejtjes dhe lajme me titull të ekzagjeruar.

Sipas raportit vlen të theksohet se në kategorinë e artikujve të ndikimit të jashtëm ka pasur lajme me përmbajtje konspirative.

“Në mostrën në gjuhën shqipe janë monitoruar 76 portale online, 203 faqe dhe 10 grupe në rrjetin social Facebook dhe 32 llogari në rrjetin social Twitter. Nga monitorimi i këtyre portaleve online dhe rrjeteve sociale janë identifikuar 154 artikuj që kanë përmbajtje të çrregullimit të informacionit. Ndërsa, në mostrën në gjuhën serbe janë monitoruar 55 portale online, 16 faqe dhe një grup në rrjetin social Facebook dhe 18 llogari në Twitter, me ç’rast kanë rezultuar 23 artikuj me çrregullim të informacionit, ku gjithsej numri i artikujve me çrregullim të informacionit për të dyja mostrat ka qenë 176”, thuhet në raportin e D4D-së.

Burimi: D4D

Se gjendja është e njëjtë kur jemi të keqinformimi që mund të vijë nga rrjetet sociale dhe nga mediat pa jokredibile e pa impresum, gjithashtu mund të jenë të mëdha dhe mund të kenë pasoja në keqinformim të publikut dhe devijim të informacioneve.

Edhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar raportin hulumtues “Ndikimi i Dezinformimit dhe Polarizimit Politik Gjatë Pandemisë COVID-19 në Kosovë”.

Ky raport mes tjerash thotë se mediat serioze e kredibile në Kosovë u sfiduan për lajme të besueshme e profesionale rreth COVID-19 me praninë e lajmeve konspirative, lajmeve të rrejshme edhe pa burime profesionale në mediat sociale dhe në mediat jo shumë kredibile – online.

“Prania e teorive konspirative, dezinformimit dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale në Kosovë, pati efekte të dëmshme tek perceptimi publik për pandeminë si kërcënim dhe pranimin e kufizimeve institucionale për parandalimin e pandemisë”, thuhet në raport.

Madje, raporti thotë se teoritë konspirative dhe dezinformuat kryesore kundër vaksinimit dhe në përgjithësi rreth COVID-19 erdhën në platformat sociale si Youtube e Facebook.

“Në përputhje me trendet globale, kategoria e parë promovoi idenë se COVID-19 u krijua nga organizata të ‘industrisë së madhe farmaceutike’ që kujdesen për interesat e tyre të biznesit. Kjo narrativë u përshtat me kontekstin lokal dhe qytetarët e Kosovës u targetuan përmes platformave të rrjeteve sociale, duke përfshirë Facebook dhe YouTube, të dyja me ndikim në të gjitha gjeneratat. Burimet e rrjeteve sociale ishin të mbushura me postime që pretendonin se organizata dhe individë të fuqishëm ndërkombëtarë, si George Soros, Bill Gates, Fondacioni Rockefeller, ishin organizatorët e pandemisë” thuhet në raportin e QKSS-së.

Pra, në këtë aspekt kur në Kosovë është përqindja e lartë e përdorimit të internetit dhe qasja është shumë e lehte mediat profesionale, ekspertët e mediave dhe institucionet e gazetarëve dhe jo vetëm duhet të fokusohen më shumë për përmbajte më profesionale, me burime kredibile dhe me informacione të dorës së parë dhe të besueshme.

Përpjekja për të ndikuar dhe për të sfiduar nga grupe të ndryshme si me konspiracione rreth COVID-19 dhe me lajme të tjera të ndikimeve edhe nga jashtë do të vazhdojë edhe në të ardhmen por mediat duhet të kryejnë misionin e tyre primar, informimin, besimin dhe përgjegjësinë. /Kallxo.com/