LAJMI I FUNDIT:

Ndërtimtaria dhe tregtia me rritjen më të madhe gjatë tremujorit të dytë 2021

Ndërtimtaria dhe tregtia me rritjen më të madhe gjatë tremujorit të dytë 2021
Foto: Ilustrim

Tregtia dhe ndërtimtaria kanë shënuar rritjen më të madhe gjatë tremujorit të dytë të vitit aktual.

Kështu thuhet në raportin “Prodhimi Vendor Bruto, tremujori i dytë 2021”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

“Tregtia me shumicë dhe me pakicë ka shënuar rritje prej 31.9 për qind, ndërtimtaria me 27.28 për qind, aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 16.19 për qind, informacioni dhe komunikimi me 8.04 për qind, bujqësia, pyjet dhe peshkimi me 1.91 për qind”, thuhet në raport, përcjell Telegrafi.

Rritja reale e PVB-së tremujore krahasuar me periudhën përkatëse të vitit paraprak | Burimi: ASK

Sipas ASK-së, gjatë këtij tremujori patundshmëria ka shënuar rënie.

“Aktivitete të pasurive të paluajtshme kanë shënuar rënie prej 1.10 për qind”, vijon ASK.

Kurse sipas metodës së shpenzimeve, eksporti dhe importi i mallrave e shërbimeve shënuan rritje.

“Eksporti i mallrave dhe shërbimeve kanë shënuar rritje prej 27 për qind, importi i mallrave dhe shërbimeve me 53.74 për qind, formimi i bruto kapitalit me 31.17 për qind dhe shpenzimet e konsumit final me 14.20 për qind”, përfundon raporti.

Prodhimi Vendor Bruto në këtë tremujori ka shënuar rritje reale prej 16.28 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. /Telegrafi/