LAJMI I FUNDIT:

Ndahen 150 mijë euro për Komunën e Ranillugut

Ndahen 150 mijë euro për Komunën e Ranillugut

Është nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe komunës së Ranillugut për një investim infrastrukturën rrugore në vlerë prej 150,000.00 euro.

Në një njoftim thuhet se ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku rikonfirmoi qëndrimin e Qeverisë dhe të Ministrisë së Infrastrukturës për përkrahjen e mëtutjeshme për komunat e vogla.


“Me rishikimin e buxhetit shuma që ka qenë e planifikuar për tu investuar në vlerë prej 100,000.00 euro në komunën e Ranillugut është rritur në vlerën 150,000.00 euro. Ne sot përmes Memorandumit po e bartim këtë shumë të mjeteve te Komuna që ta shfrytëzojnë në përputhje të nevojave të tyre. Kjo është në përputhje me planin e qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në të gjitha komunat tona që do të ndikojë në lidhjen më të mirë të fshatrave dhe në rritjen e mirëqëenies së qytetarëve”, theksoi ministri Zharku.

Ndërsa, kryetari i komunës së Ranillugut, Gradimir Mikic, shprehu falënderimin e tij për Ministrinë e Infrastrukturës dhe ministrit Zharku për përkrahjen e zhvillimit të infrastrukturës në këtë Komunë.

“Ne sot kemi planifikuar për të nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Infrastrukturës për projektin kapital.

“Asfaltimi i rrugëve në komunën e Ranillugut” në vlerë prej 100,000.00 euro, por Ministri na besfasoi me ndarjen e mjeteve shtesë në vlerë prej 50,000.00 euro, që në total janë 150,000.00 euro. Nga kjo shihet se përbërja e re e Ministrisë së Infrastrukturës i ka kushtuar rëndësi të madhe sidomos komunave të vogla, prandaj ne e falëndërojmë”, ka thënë ai.