LAJMI I FUNDIT:

NATO i ka ndërprerë përkohësisht aktivitetet e trajnimit në Irak

NATO i ka ndërprerë përkohësisht aktivitetet e trajnimit në Irak

Zëdhënësi në detyrë i Aleancës, ka bërë të ditur se do të vazhdojnë të marrin masat e nevojshme paraprake në rajon, pas vrasjes së gjeneralit të lartë iranian.

Pas vrasjes së komandantit të lartë iranian Qassem Soleimani, nga një sulm ajror nga forcat amerikane, NATO ka vendosur që në Irak t’i ndërprenë përkohësisht aktivitetet e trajnimit, transmeton Telegrafi.


“Siguria e personelit tonë në Irak, është parësore, ndërsa ne do të vazhdojmë të marrim të gjitha masat e nevojshme. Misioni i NATO-s po vazhdon, por aktivitetet e trajnimit janë pezulluar përkohësisht”, ka thënë zëdhënësi në detyrë i NATO-s, Dylan White.

Ai vuri në dukje se misioni i NATO-s në Irak, ka personel që numëron qindra anëtarë, derisa me kërkesë të qeverisë Irakiane, ndihmojnë në forcimin e forcave Irakiane dhe parandalimin e kthimit të Daesh / ISIS.

White tha se NATO-ja po monitoron “shumë ngushtë” situatën në rajon dhe shtoi se: “Ne mbetemi në kontakt të ngushtë dhe të rregullt me autoritetet amerikane.”

Ai gjithashtu tha se Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg dhe Sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, Mark Esper zhvilluan një bisedë telefonike pas zhvillimeve të fundit. /Telegrafi/