LAJMI I FUNDIT:

KFOR publikon pamje nga heqja e barrikadave të fundit në veri

KFOR publikon pamje nga heqja e barrikadave të fundit në veri

NATO ka bërë të ditur se të enjten ka përfunduar heqja e automjeteve që bllokonin rrugët në veri të Kosovës.

Përmes një komunikate u potencua se kjo përpjekje u krye në përputhje me mandatin e KFOR-it të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.


“Ky aktivitet vjen pas vendimit të marrë më 28 dhjetor 2022 për heqjen e barrikadave të vendosura në veri të Kosovës në dhjetor. Heqja e barrikadave u arrit si rezultat i përpjekjeve intensive të Aleatëve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të zbutur tensionet, me mbështetjen kryesore nga KFOR-i dhe misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX). Demontimi i postblloqeve përfundimtare u krye në mënyrë të shpejtë, të sigurt për të shmangur incidente dhe rreziqe të tjera për sigurinë lokale.”, u bë e ditur në komunikatë.

Tutje theksohet se KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe ka aftësinë dhe personelin për të vazhduar zbatimin e mandatit të tij të OKB-së plotësisht dhe në baza ditore, duke kontribuar për sigurinë në Kosovë dhe për stabilitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu, u nënvizua se NATO vazhdon të mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si platforma kryesore për të gjetur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe për të ndërtuar paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në të gjithë rajonin.

Misioni i KFOR-it në Kosovë, para dy ditësh ka kryer disa operacione inxhinierike në veri të vendit, duke i larguar nga rruga automjetet e bllokuara që kanë mbetur në atë pjesë.

Ndryshe, të enjten e 29 dhjetorit në veri të vendit serbët kanë larguar barrikadat e vendosura nga bandat kriminale në veri të vendit, por aty kanë mbetur disa kamionë të djegur nga vetë ata.

Ndërsa, vendosja e tyre është bërë për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës, Dejan Pantiq, i cili ditë më parë është dërguar në arrest shtëpiak.

Misioni paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), aktualisht ka 3.735 trupa në Kosovë, që vijnë nga 27 vende të botës.

Pjesë e KFOR-it më nuk janë trupat ukrainase, të cilat janë thirrur të kthehen në vendin e tyre për shkak të luftës së nisur nga Rusia.

Forcat e misionit paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, u vendosën në Kosovë pas përfundimit të luftës më 1999 me synim që të garantojnë sigurinë./Telegrafi/