LAJMI I FUNDIT:

Nagavci: Bashkatdhetarët paguajnë dyfish më shtrenjtë për shërbimet mjekësore në Gjakovë

Nagavci: Bashkatdhetarët paguajnë dyfish më shtrenjtë për shërbimet mjekësore në Gjakovë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, deklaroi se janë shtrenjtuar çmimet për shërbimet mjekësore në Komunën e Gjakovës dhe këtë veprim e ka quajtur të turpshëm.

Sipas saj, Qendrat e Mjekësisë Familjare në Komunën e Gjakovës, për të njëjtat shërbime që ofrohen me rastin e vizitave mjekësore, nga bashkatdhetarët kërkon më shumë se dyfishin e çmimit.


“Nga 1€ sa ka qenë pagesa për vizitën mjekësore në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Komunën e Gjakovës, tani është 2€, ndërsa për bashkatdhetarët çmimi që duhet të paguajnë për të njëjtën vizitë është 5€”, tha Nagavci.

Nagavci shtoi se diaspora sjell më shumë se 800 milionë euro në vit remitenca dhe se institucionet tona në vend se të përgatiten për t’i pritur si duhet, u rrisin çmimet edhe për vizitat mjekësore.

“Bashkatdhetarët tanë, ndonëse kanë mundësi të bëjnë pushimet në vende të ndryshme të botës, zgjedhin Kosovën dhe kthehen në vendlindjet e tyre. Mërgata jonë vazhdon të jetë burim financiar për familjet dhe ekonominë kosovare”, u shpreh ajo. /kp/Telegrafi/