Mbrëmja e 16 gushtit shënoi një prej netëve më të veçanta të verës në Prishtinë, duke sjellë një atmosferë unike dhe energji të papërshkrueshme për adhuruesit e muzikës elektronike.

Nën organizimin e RAVE , qyteti u shndërrua në një pikë takimi për artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, me një event që zgjati plot 14 orë, nga ora 16:00 deri në 06:00 të mëngjesit të ditës së nesërme.


Eventi u zhvillua në dy skena të veçanta, duke nisur në Pllatonë e Pallatit të Rinisë, ku performuan Hamze, Liburn, Fernando Costantini, dhe kulmoi me një performancë të paharrueshme nga legjenda gjermane e muzikës techno, Sven Väth, i cili për herë të parë performoi në Prishtinë.

Set-i i tij i veçantë e përmbylli programin në skenën e parë në orën 00:00. Pas mesnate, u zhvendos në skenën e dytë, brenda sallës së djegur të Pallatit të Rinisë, ku nga ora 23:30 e deri në orët e hershme të mëngjesit performuan Domenico Rosa, Quest, Adiel, dhe në fund Laurine, e cila mbylli zyrtarisht këtë natë maratonike muzikore.

Kjo ngjarje shënoi përmbylljen e sezonit veror për RAVE, duke lënë pas një verë të mbushur me  evente të paharrueshme, bashkëpunime të suksesshme dhe një publik gjithnjë e më të angazhuar.