LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Do t’i ndalim shëtitjet personale me makina zyrtare

Mustafa: Do t’i ndalim shëtitjet personale me makina zyrtare

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se është e pakuptimtë që automjetet publike të shfrytëzohen nga zyrtarët për pushime në Durrës.

Sipas tij, ka një ecuri më të mirë të hyrave buxhetore dhe efikasitet më të lartë të institucioneve, por mjetet duhet të shfrytëzohen në mënyrë racionale.


Këto deklarata kryeministri i bëri në mbledhjen e sotme të Qeverisë, në të cilën është miratuar raporti gjashtëmujor i buxhetit të Kosovës për vitin 2016.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti i cili para qeverisë prezantoi raportin tha se kjo periudhë është karakterizuar me ritëm të rritjes së aktivitetit ekonomik.

“Të hyrat kanë shënuar rritje. Rritja e të hyrave është nga aktiviteti i shtuar ekonomik e jo nga taksat siç pretendohet. Kemi pasur ngecja nga devidenta sepse PTK nuk ka paguar asgjë deri më tani. Të hyrat nga tatimi në pronë në komuna ka pasur rritje prej 16 për qind”, tha Hoti.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme po ashtu ka miratuar Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës.

Qeveria ka marrë vendim edhe për ndarjen e mjete financiare  në vlerë prej 300 mijë euro për aktivitetet lidhur me shpalljen dhe kanonizimin e shenjtërisë Nëna Terezë, i cili do të mbahet më 4 shtator.

Po ashtu, në këtë mbledhje Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve në vlerë prej 10 mije euro për qendrën për studime dhe shërbime psikologjike dhe sociale për përkrahjen e Projektit Atomi, transmeton KP. Nga mbledhja e sotme, është marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare prej 18 mijë eurove për shoqatën e të verbërve nga Peja, për botimin e legjislacionit të alfabetit të Braillit.