LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Strategjitë për turizmin në Kosovë, bëhen vetëm për plotësimin e kërkesave politike (Video)

Mustafa: Strategjitë për turizmin në Kosovë, bëhen vetëm për plotësimin e kërkesave politike (Video)

Besian Mustafa, ish drejtor i KIESA ka thënë se turizmi në Kosovë është njëri ndër sektorët kyç për zhvillimin ekonomik.

Ai në emisionin “Përballje” të gazetarit Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se turizmi nuk është mbështetur nga politikat qeveritare.


“Turizmi në Kosovë ka një potencial mjaft të madh për të sjellë zhvillimin ekonomik. Hendeku qëndron në atë se në të gjitha politikat qeveritare turizmi figuron si një prioritet, por kjo mbetet vetëm në letër, pasi nuk përforcohet me mjete financiare, burime njerëzore etj.”, ka deklaruar ai.

Mustafa ka thënë se Kosova nuk ka strategji të qartë për turizëm, pasi strategjitë po bëhen vetëm plotësimin e kërkesave politike, pastaj nuk po përputhen me realitetin, përcjell Telegrafi.

“Strategjitë në Kosovë shkruhen për të plotësuar një kërkesë politike, ose pse po na kërkon Bashkimi Evropian”, është shprehur ai.

Mustafa ka thënë se prioritetet tjera gjatë këtyre 20 viteve pas luftës e kanë lënë turizmin e pazhvilluar.

“Kemi pasur UNMIK-un dhe EULEX-in. Jo që na kanë penguar në turizëm, mirëpo na kanë dhënë prioritete të tjera”, ka thënë ai, duke shtuar se jemi shtet me resurse financiare të limituara.

“Kemi pasur prioritete tjera që ndërtojnë themelet e shtetit, për të ardhur pastaj te turizmi”.
Mustafa ka thënë se patjetër turizmi duhet të ketë plane strategjike.

“Turizmi si sektor duhet të prioritizohet si strategjik. Të gjitha projektet duhet të shihen se sa kanë efekt në turizëm”, ka përfunduar Besian Mustafa, ish drejtor i KIESA./Telegrafi/