LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Përkundër ambientit politik, bizneset u zhvilluan

Mustafa: Përkundër ambientit politik, bizneset u zhvilluan

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se Qeveria e Kosovës ka arritur të krijojë një ambient të favorshëm për të bërë biznes.

Arritja e marrëveshjes me Bashkimin Evropian për qasje në fondet e BE-së, rangimi i Kosovës në vendin e 60-të në raportin e Bankës Botërore, janë këto disa të arritura që kryeministri i përmendi sot në takimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.


Ai po ashtu tha se gjatë tre viteve ka pasur zbutje të papunësisë. Mustafa është shprehur i bindur se edhe këtë vit do të ketë rritje ekonomike të mbi 4 për qind.

“Edhe përkundër një ambienti politik në të cilin kemi vepruar , që nuk ka qenë shumë i përshtatshëm. Konsideroj që ne kemi arritur që të krijojmë një ambient të favorshëm për të bërë biznes qoftë përmes politikave fiskale të cilat i kemi ndërtuar deri më tani dhe të cilat janë në favor të prodhimeve vendore , në krahasim me ato që i kemi pasur më parë, qoftë edhe si interaksion i yni në politikat e përgjithshme në politikat ekonomike në regjion. Pastaj kemi pasur një përmirësim të Kosovës në raportin e Bankës Botërore të bërit biznes. Kosova është renditur në vendin e 60-të nga ai 66 që ka qenë më parë. Ndërkaq procese të veçanta kemi treguar në indikatorët që kanë të bëjnë me fillimin e biznesit , në tregtinë përtej kufijve dhe me pagesa të tatimeve, që janë tre fushat shumë të rëndësishme për ne”, tha Mustafa.

Po ashtu ai, ka thënë se Qeveria ka punuar edhe në fushën e legjislacionit , eliminimin e burokracisë , lehtësira dhe qasje më të lehtë në fondet financiare.

Sipas kryeministrit edhe në vitin e ardhshëm ka shumë projekte që do të ofrojnë ndihma përmes subvencione në bujqësi.

“Përmes fondit për garantimin deri më tani janë lëshuar 63 kredi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Në anën tjetër përmes BERZH dhe me ndihmën e donatorëve po implementojmë projektin për certifikimin e produkteve kosovare që do të ndikojë pastaj në hapjen e rrugëve për eksport. Ne pa marrë parasysh situatës në të cilën kemi vepruar, kemi arritur një rritje ekonomike prej 4.1 për qind për vitin 2015, presim që kjo rritje ekonomike në vitin 2016 të jetë më e lartë. Do të kemi po ashtu investime të huaja direket të cilat janë të rëndësishme, trend i të cilave ka filluar të rritet vitin e kaluar. Kemi trend të mirë të uljes së papunësisë edhe në vitin 2015 në krahasim me vitin 2014 edhe në 2016 në krahasim me 2015, gjë që flet se sektori privat po e bën punën e vet”, tha Mustafa.

Me qëllim të fuqizimit të rolit të gruas në zhvillim ekonomik, kryeministri Mustafa, i ka uruar mirëseardhje Forumit të Grave në Këshillin Kombëtar.

Forumi i Grave në Biznes prej tash e tutje do të jetë pjesë e takimeve në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. Ai po ashtu ka thënë se janë fazën e konsultimit me Asociacionet e Bizneseve për fazën e dytë të reformave me qëllim që të përshtaten politikat fiskale me kërkesat e bizneseve. /Telegrafi/