LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Nuk do të ketë komunë të Prilluzhës

Mustafa: Nuk do të ketë komunë të Prilluzhës

Lajmin që po qarkullon në media se do të formohet Komuna serbe e Prilluzhës, kryeministri Isa Mustafa, e ka cilësuar si një sajesë për ta destabilizuar vendin.

Kryeministri, përnes një postimi në Facebook, ka komentuar edhe demarkacionin me Malin e Zi, duke shtuar se vija kufitare do të bëhet në harmoni me atë të vitit 1988.


Kurse për krijimin e komunave serbe, ka thënë se do të veprohet sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese.

Lexojeni të plotë postimin e kryeministrit Mustafa: 

“Të nderuar miq,

Sot është një ditë e përkujtimit të heroizmit të familjes Jasharaj. Ditë që dëshmon sakrificën e shumë njerëzve dhe gjeneratave për liri.

Po e shfrytëzoj edhe këtë ditë të madhe tu garantoj se ajo cfarë po thuhet dhe po shkruhet për kinse themelimin e Komunës së Prilluzhës, është një sajesë e radhës për të destabilizuar vendin. Askush nuk është duke biseduar dhe në asnjë procedurë nuk është themelimi i Komunës së Prilluzhës, siç po trumbetohet në disa media dhe nga disa individ.

Ne kemi nevojë ta ndërtojmë dhe zhvillojmë këtë shtet, e jo që çdo ditë të sajojmë nga një rast të ri për të shqetësuar qytetarët dhe për ta destabilizuar vendin.

Do të sqarohet pikë për pikë kufiri me Malin e Zi. Sqarimi do të bëhet në mënyrë profesionale dhe në harmoni me vijën kufitare që më 31 dhjetor të vitit 1988 e ka pasur Kosova, atëherë si krahinë, me Malin e Zi, si republikë. Nëse del se është bërë gabim, do të kërkohet përgjegjësi. Por nëse vërtetohet se çdo gjë është e saktë dhe se kufiri është aty ku ka qenë, atëherë duhet të përgjigjen ata që e than të pavërtetën. I garantoj qytetarët tanë se asnjë metër e territorit të Kosovës nuk do t’i epet Malit të Zi dhe as që ka interesim të Malit të Zi të merr tokë nga Kosova.

Për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe do të veprohet ashtu siç Gjykata Kushtetuese e ka interpretuar marrëveshjen. Ftoj të gjithë akterët politik të pushojmë të sajojmë raste për të destabilizuar vendin. Koha është të mendojmë mbarë dhe të ndihmojmë që ky vend të merr drejtimin e duhur. Vetëm kështu i respektojmë ata që u flijuan për Kosovën. IM”, ka shkruar Kryeministri Mustafa në Facebook.