LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Nuk ka kandidatura zyrtare për të parin e LDK-së, mund të ketë vetëm deklarime

Mustafa: Nuk ka kandidatura zyrtare për të parin e LDK-së, mund të ketë vetëm deklarime

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një konferencë për media ka thënë se LDK ka filluar procesin zgjedhor dhe kanë miratuar platformën zgjedhore.

Mustafa ka theksuar se në kryesinë e LDK-së kanë aprovuar agjenden e zgjedhjeve.


“Jemi marrë vesh që në fazën e parë të zgjedhjeve të fillojmë me 22 degë nga 38 sa i kemi. Ndërsa më pas të vazhdojmë edhe me 16 degë tjera si dhe me degët në diasporë. Objektiva jonë themelore është që të forcohet LDK. Të japim mundësi për pjesëmarrje të gjithë atyre që e vlerësojnë programin e LDK-së. Kemi një disponim të shkëlqyeshëm brenda partisë. E kemi një unitet që është i qëndrueshëm në LDK dhe se zgjedhjet tona janë të rëndësishme jo vetëm për LDK, por edhe për krejt Kosovën, sepse jemi parti që kemi besim të madh qytetar”, ka thënë ai.

Sipas tij, ende nuk janë duke u menduar kandidatët për të parin e LDK-së.

“Kur të vijë koha që duhet të mendojmë për kandidatët do ta shqyrtojmë situatën. Tani janë zgjedhjet në degë, nuk mendojmë as për Lutën, as për Vjosën as për vete. Zgjedhjet kanë qenë gjithmonë korrekte dhe nuk janë zhvilluar jashtë normave të statutit. Do të përpiqemi që të bëhet me votim të fshehtë, të kemi së paku dy kandidatë edhe për nivel qendror edhe të degëve. Në LDK vendosim për kandidatët. Nëse bëhen më shumë ne nuk ua mbyllim dyert”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe deklaratat e Lutfi Hazirit, i cili ka pranuar se nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje politike për të drejtuar LDK-në, ai do ta shpallë kandidaturën për kryetar të partisë.

“Ne nuk kemi biseduar për kandidatë as me zotin Haziri as me tjerët, dhe nuk do të bisedojmë derisa të përfundojë procesi. Kur të përfundojë procesi mund të vijë dikush në kryesi dhe ta shpall kandidaturën. Por, ende nuk kemi zyrtare asnjë kandidaturë, ndërkaq deklarime mund të ketë”, është shprehur ai.

Në këtë konferencë, Mustafa ka folur edhe për dialogun me Serbinë, ku ka thënë se nuk votojnë marrëveshje e cila nuk është në harmoni me platformën e LDK-së.

“Unë nuk po shoh ndonjë mundësi që procesi i dialogut të shkojë ashtu siç po deklarohet. Kushtëzimi i dialogut me tarifën ka mbetur, dhe në këtë situatë dialogu është në një qorrsokak. Ne kemi thënë se më mirë është të shkohet në zgjedhje, të kemi institucione legjitime që do ta udhëheqin dialogun dhe kjo është Qeveria. Nëse vjen marrëveshja në Kuvend që nuk është në harmoni me platformën e LDK-së, deputetët tanë nuk e votojnë. Ne nuk pajtohemi me marrëveshje që flitet për korrigjim të kufijve, as me ndryshim të territoreve, as me çështje që hapin temën e shpalljes së pavarësisë, por as me asociacion që ka kompetenca ekzekutive”, ka thënë Mustafa.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet në Kosovë, ku ka thënë se nuk i kanë numrat që të shkojnë në proces zgjedhor.

“Unë flas në emër të LDK-së, dhe i kemi 25 vota sa i kemi në Kuvend, por nuk i kemi numrat. PSD po thotë se është në opozitë por po i voton të gjitha aktet. Ne nuk i kemi numrat sepse do të shkonim në zgjedhje”, është shprehur ai.

Ndërsa pritet që LDK të shpallë kandidaturat zyrtarë pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve në degë./Telegrafi/