LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Nëse Serbia kërkon certifikatat ADR do të kërkojmë edhe ne

Mustafa: Nëse Serbia kërkon certifikatat ADR do të kërkojmë edhe ne

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka komentuar çështjen e reciprocitetit me Serbinë, duke thënë se nëse Serbia kërkon certifikata nga Kosova edhe vendi ynë i kërkon ato nga Serbia. Kurse për opozitën, takimi urgjent në Vjenë po ndodhë me ftesë të Serbisë, të cilës nuk duhet t’i nënshtrohemi.

Kosova për herë të parë e merr seriozisht vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj palës serbe.


Pas këtij vendimi, me ftesë të Bashkimit Evropian (BE), delegacioni i Kosovës ka udhëtuar për në Vjenë për të marrë pjesë në takimin urgjent të ftuar nga BE, në lidhje me njohjen reciproke mes dy shteteve të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme, të njohura si ADR (the European Agreement Concerning the International Carriage of Dangerous Goods by Road).

Pala serbe në vazhdimësi nuk e ka respektuar marrëveshjen dhe se si kundërpërgjigje Qeveria e Kosovës mori vendim për masa reciprociteti për mosnjohjen e certifikatave, duke ndaluar importin e mallrave të rrezikshme nga Serbia, vendim ky të cilin e mori ministrja për Tregti dhe Industri, Hykmete Bajrami ditë më parë.

Sipas, një njoftimi të ministrisë për Dialog, qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është se derisa të mos arrihet marrëveshja me ndërmjetësimin e BE-së për njohjen reciproke të certifikatave të ADR-së, masat e reciprocitetit nuk do të hiqen.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se Kosova do të sillet në mënyrë të njëjtë, ashtu sikurse pala serbe. Sipas tij, nëse Serbia i kërkon certifikatat, atëherë edhe pala kosovare do të kërkojë një gjë të tillë.

Ai pret që kjo çështje të zgjidhet me ndërmjetësimin e BE-së.

“Ne kërkojmë që të dy palët të sillen në mënyrë të njëjtë. Në qoftë se Serbia kërkon certifikata nga Kosova edhe ne kërkojmë të atyre. Edhe kjo mendoj se do të arrihet sepse është vullneti i Brukselit që të ndihmoj në mënyrë që të pranohen certifikatat dhe pastaj të lirohet qarkullimi i mallrave në dy anët”, tha Mustafa.

Përfaqësues nga partitë opozitare thonë se pala kosovare nuk do t ë duhej të pranonte në asnjë mënyrë që shkojnë në takime të ftuara me urgjencë nga kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq.

Rexhep Selimi nga Lëvizja “Vetëvendosje”, tha se tashmë dihet që agjendën për Kosovën vazhdon të vendos Vuçiqi.

“Ashtu siç bisedimet me Serbinë janë të mbështetura dhe të interesave të Republikës së Serbisë në Kosovë, ashtu siç edhe secila marrëveshje është e sponsorizuar nga Republika e Serbisë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, po ashtu edhe agjendën po e përcakton Vuçiqi. Sa atij i leverdisë dhe sa herë ai mendon. Çfarë ndodh në anën tjetër, në anën tjetër ndodh një bindje vasale e Qeverisë së Kosovës e cila thirrjeve të Vuçiqit për në Bruksel i përgjigjet gjithmonë sa herë Beogradi dhe Vuqiçi kanë nevojë që këta t’i kenë në tavolinën e bisedimeve. Nëse do të vazhdon in në këtë trend dhe do të lejonim që të vazhdonte raporti i Kosovës me Serbinë, atëherë nuk është çudi që nesër të mos i thërriste Vuçiqi në Bruksel por t’i thërriste të njëjtit në Beograd”, tha Selimi.

Ai ka shtuar se pala kosovare është dashur në këtë rast të refuzonte ftesën, pasi sipas Rexhepit, kjo po duket të jetë një nënshtrim i palës kosovare karshi Serbisë.

Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovës, tha se Qeveria do të bënte gabim të madh në rast se do të nënshtrohej palës serbe.

“Gabim i rëndë do të bëhej nëse Qeveria e Kosovës i nënshtrohet diktatit të Serbisë. Në fakt Qeveritë e Kosovë në vazhdimësi iu janë nënshtruar diktatit të Serbisë, po r së paku tani e tutje duhet të fillojnë dhe të mos pranojnë diktate nga Qeveria e Serbisë. Duhet të fillojnë më në fund të ushtrojnë dhe të zbatojnë reciprocitetin në të gjitha fushat si në atë politik, ekonomik, tregtarë. Vetëm duke e zbatuar parimin e reciprocitetit mund dhe do të bëhemi serioz si shtet edhe në raport me Serbinë edhe në raport me fqinjët të tjerë”, tha Sherifi.

Ndërsa, Haki Shatri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tha përmes telefonit se pala kosovare është vonuar. Sipas tij, është dashur shumë më herët të vendoset reciprociteti ndaj të gjitha veprimeve negative që Serbia ka bërë karshi Kosovës.

“Vetë thirrja në Bruksel tregon për shqetësimin që pala serbe ka nëse Kosova vendos t’i bllokojë mallrat e tyre, neve nuk do të duhej ta humbim këtë rast, duhet të sillemi si shtet dhe mos t’i nënshtrohemi palës serbe”, tha Shatri.

Në takimin urgjent në Vjenë, po merr pjesë Edita Tahiri, presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, Hykmete Bajrami, ministre në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe përfaqësues tjerë teknikë.

Takimi i paraparë që të mbahet në Bruksel, kësaj radhe po mbahet në Vjenë për shkak se Aeroporti i Brukselit ende nuk është hapur për qarkullim të lirë pas ngjarjeve tragjike të ditëve të fundit./