LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Caktimi i datës për liberalizimin e vizave mbetet kompetencë e BE-së

Mustafa: Caktimi i datës për liberalizimin e vizave mbetet kompetencë e BE-së

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së, lidhur me kërkesat për liberalizimin e vizave.

Mustafa ka theksuar se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë me të gjitha shtetet e BE-së, me ato që e kanë pranuar shtetin tonë por edhe me ato që nuk e kanë pranuar, që ti informojnë për rëndësinë politike dhe ekonomike që ka liberalizimi i vizave për qytetarët  dhe për bizneset, sidomos tani kur po e implementojmë MSA-në.


Postimi i plotë i Mustafës në Facebook:

Qytetarë të nderuar

E di që liberalizimi i vizave është shumë i rëndësishëm për ju. Kosova përmbushi të gjitha kërkesat e BE-së, lidhur me kriteret për liberalizim dhe presim që institucionet e BE-së të marrin vendim për të rekomanduar liberalizimin e vizave për vendin tonë.

Kosova, po ashtu, ka treguar përkushtim të fortë për ndaljen e plotë të migrimit të qytetarëve të saj në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian dhe ka marrë masa për kthimin dhe riatdhesimin e një numri shumë të madh të atyre që u shpërngulën.

Qeveria po punon pa ndërprerë në krijimin e një ambient që gjeneron zhvillim dhe punësim si dhe për adoptimin e politikave ekonomike dhe sociale, të cilat krijojnë perspektivë për jetë për të gjithë qytetarët.

Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha shtetet e BE-së, me ato që e kanë pranuar shtetin tonë por edhe me ato që nuk e kanë pranuar, që ti informojmë për rëndësinë politike dhe ekonomike që ka liberalizimi i vizave për qytetarët tanë dhe për bizneset, sidomos tani kur po e implementojmë MSA-në.

Jemi në kontakte dhe në bashkëpunim me institucionet më të larta të BE-së.

Në këtë periudhë institucionet e Kosovës mund të flasin për përmbushjen e kritereve, kurse është në kompetencë të organeve të BE-së që vetëm ato të caktojnë datën e rekomandimit, përkatësisht të liberalizimit. Po punojmë së bashku me institucionet e BE-së, andaj besojmë që liberalizimi do të ndodhë sa më shpejtë. IM