LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Bujqve do t’u lejohet puna nëpër ferma nga ora 06:00 deri në 20:00

Mustafa: Bujqve do t’u lejohet puna nëpër ferma nga ora 06:00 deri në 20:00

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka bërë të ditur se nuk do të ndalet puna e bujqve në Kosovë, pavarësisht masave të marra nga Qeveria e Kosovës, për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Mustafa përmes një postimi në Facebook, ka thënë se orari i qarkullimit për bujq do të jetë nga ora 06:00 deri në ora 20:00.

“Me kërkesën time që të krijojmë mundësi pune për bujqit, që tani janë në kulmin e punës së tyre në fushë, do të vlejnë masa lehtësuese, vetëm dhe vetëm për bujqit: Orari i qarkullimit për bujqit individual të pajisur me Numër Identifikues të Fermës (NIF), vetëm për të punuar në fermat e tyre, do të jetë nga 06:00 deri në 20:00”, shkruan ndër të tjera Mustafa.

Po ashtu, Mustafa tha se do të lejohet qarkullimi nga një komunë në tjetrën për të kryer punët e domosdoshme.

“Bujqit e pajisur me NIF do të jenë të lirë të punojnë fermat e tyre dhe të qarkullojnë nga komuna në komunë, vetëm për të realizuar punët e domosdoshme bujqësore, përveç nga dhe në vatrat e përhapjes së infeksionit. Për të qarkulluar, bujqit duhet në çdo kohë të kenë me vete: certifikatën e Regjistrimit të Fermerit, aneks 1 të Certifikatës, shënimet e Fermerit të Regjistruar, letërnjoftimin”, bën të ditur Mustafa.

Postimi i plotë:

Puna e bujqve tonë nuk do të ndalet!

Me kërkesën time që të krijojmë mundësi pune për bujqit, që tani janë në kulmin e punës së tyre në fushë, do të vlejnë masa lehtësuese, vetëm dhe vetëm për bujqit:

– Orari i qarkullimit për bujqit individual të pajisur me Numër Identifikues të Fermës (NIF), vetëm për të punuar në fermat e tyre, do të jetë nga 06:00 deri në 20:00.

– Bujqit e pajisur me NIF do të jenë të lirë të punojnë fermat e tyre dhe të qarkullojnë nga komuna në komunë, vetëm për të realizuar punët e domosdoshme bujqësore, përveç nga dhe në vatrat e përhapjes së infeksionit. Për të qarkulluar, bujqit duhet në çdo kohë të kenë me vete:

  1. Certifikatën e Regjistrimit të Fermerit
  2. Aneks 1 të Certifikatës – Shënimet e Fermerit të Regjistruar

iii. Letërnjoftimin

– Të punësuarit në fermë duhet të pajisen me “Vërtetim për lëvizje të lirë” i cili plotësohet nga pronari i fermës të cekur në Certifikatën e Regjistrimit të Fermerit. Vërtetim për lëvizje të lirë mund të shkarkohet në faqen e internetit të MBPZhR-së www.mbpzhr-ks.net. Këta të punësuar do të jenë të lirë të punojnë dhe të qarkullojnë nga komuna në komunë, vetëm për të realizuar punët e domosdoshme bujqësore në fermën ku janë punësuar, përveç nga dhe në vatrat e përhapjes së infeksionit. Për të qarkulluar, të punësuarit duhet në çdo kohë të kenë me vete:

  1. Kopjen e Vërtetimit për lëvizje të lirë, të plotësuar dhe nënshkruar nga pronari i fermës
  2. Kopjen e Certifikatës së Regjistrimit të Fermerit, të fermerit që i ka punësuar

iii. Aneks 1 të Certifikatës – Shënimet e Fermerit të Regjistruar, të fermerit që i ka punësuar

  1. Letërnjoftimin personal të tyre

– Kemi përfshirë NACE kodet për leje pune për të gjitha bizneset e zinxhirit të kultivimit, grumbullimit, përpunimit, etj. të ushqimit.

Ju faleminderit për mirëkuptimin që keni treguar, së bashku do ta kalojmë këtë sfidë!