Musmurati: Po intensifikohen punimet për ndërtimin e shkollës së re në Sofali


Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka bërë të ditur se po vazhdojnë punimet për ndërtimin e shkollës së re në lagjen Sofali, duke theksuar se synimi i komunës është që projekti të përfundojë sa më shpejt dhe objekti të vihet në shërbim të nxënësve.
Përmes një postimi në Facebook, Musmurati ka njoftuar se, së bashku me bashkëpunëtorët e saj, ka vizituar kantierin për të parë nga afër ecurinë e punimeve dhe për të kërkuar përshpejtimin e tyre.
"Në Sofali po vazhdojnë punimet për shkollën e re. Fokusi ynë është që punimet të zhvillohen me dinamikë të shtuar, në mënyrë që nxënësit ta kenë sa më shpejt shkollën e tyre të re", ka shkruar Musmurati.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë vizitës ka kërkuar nga ekipi përgjegjës intensifikimin e punimeve.
"Së bashku me Norën dhe Arianitin vizituam punimet për të parë nga afër ecurinë e tyre dhe për të kërkuar intensifikimin e punimeve", ka deklaruar nënkryetarja e Prishtinës.
Musmurati ka theksuar se investimet në sektorin e arsimit mbeten një ndër prioritetet e Komunës së Prishtinës.
"Investimi në arsim është investim në të ardhmen e Prishtinës", është shprehur ajo. /Telegrafi/




































