LAJMI I FUNDIT:

Musliu për situatën në veri: Barrikadat të hiqen sa më parë, s’negociohet me terroristë

Musliu për situatën në veri: Barrikadat të hiqen sa më parë, s’negociohet me terroristë

Eksperti i sigurisë Agim Musliu thotë se barrikadat në veri të vendit janë vendosur nga bandat serbe terroriste si Rojat e urës, Mbrojtja civile dhe “Brigada e Veriut”, dhe si të tilla sipas tij duhet të largohen sa më parë. Edhe ashtu, siç thotë ai, një situatë e tillë nuk mund të qëndrojë gjatë meqë është e tensionuar. Ai thekson se Policia e Kosovës ka kapacitet e duhura për të intervenuar në këtë aspekt, porse pritet një vendim politik pasi që këto të fundit të largohen.

Musliu thotë se prapa bandave terroriste serbe qëndron presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, derisa shton se në mesin e tyre pjesa dërrmuese janë ushtarë të plotë dhe të trajnuar, si dhe agjente të BIA-s.


Për protestën e paralajmëruar për të hënën në Serbi, eksperti i sigurisë thotë se ishte e dështuar pasi që siç thotë ai, në të morën pjesë serbë të importuar nga Kosova.

Musliu apelon që forcat terroriste që veprojnë në veri të vendit të largohen sa më parë, qoftë edhe me dhunë.

“Kjo situatë nuk mund të qëndrojë gjatë sepse është e tensionuar, dhe së pari më së shumti tension kanë pjesëtarët e pakicës serbe që janë në atë pjesë sepse janë të terrorizuar nga bandat terroriste që veprojnë në veriun e Kosovës. Shembull, udhëheqësit e këtyre bandave, si Radoiçiq është shfaqur para disa ditëve në veriun e Kosovës, dhe duke i inkurajuar këta terroristë që të qëndrojnë në barrikada dhe të veprojnë dhe sulmojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, por është zhdukur pastaj dhe është në hotelin e vet. Është një lojë e cila vazhdon të orkestrohet nga presidenti Vuçiq për ta destabilizuar Kosovën, por edhe e shtyrë dhe e fryrë shumë nga diplomacia dhe shërbimet sekrete ruse ndihmuar edhe në terren. Mbrëmë e pamë që edhe në Beograd ishte organizuar një protestë, disa qindra protestues ishin por të importuar nga Kosova dhe me maska, të cilëve ju dështoi ajo protestë sepse nuk ju bashkëngjit askush… Këto forca terroriste që veprojnë në veriun e vendit duhet të largohen menjëherë. Duhet Serbisë t’i bëhet me dije, jo me fjalë, por me sanksione dhe me vepra tjera dhe me dhunë nëse duhet, sepse dhuna është instrument politik i skajshëm, duhet t’i tregohet se nuk mund të luhet më me flakën e luftës në Ballkan”, thotë Musliu.

Ai tregon se kush qëndron prapa bandave në veri të vendit.

“Grupet e njerëzve që i shihni në televizione janë grupe të organizuara nga presidenti Vuçiq drejtpërsëdrejti dhe nëse analizoni mund të shihni që janë autentike të xhiruara nga televizionet e kontrolluara nga presidenti i Serbisë, Vuçiq. Dhe nëse analizoni edhe me tepër e shihni se edhe struktura e tyre në moshë nuk dallon shumë. 90 për qind prej tyre janë meshkuj, prej 25 deri në 45 vjet, do të thotë ushtarë të plotë dhe të trajnuar, veshmbathja e tyre është ushtarake, në ndonjë vend mund takohet edhe ndonjë femër, agjende të BIA-s apo përkrahëse të ideve të Vuçiqit. Kjo është ajo që mund të shohin ata njerëz që rrinë në tenda, janë përkrahës të Vuçiqit, janë pjesë e bandave terroriste që operojnë në veriun e Kosovës”, thotë ai.

Sa i përket maskave që pjesëtarë të bandave terroriste serbe po i bartin në veri të vendit, ai thotë se konsistojnë në organizimin terrorist të shtetit serb.

“E tërë kjo konsiston në organizimin terrorist të shtetit terrorist të Serbisë, e cila i ka instaluar bandat terroriste në veriun e Kosovës, një pyetje hipotetike, poqëse është kërkesë legjitime e atyre njerëzve, pse i vendosin maskat, çfarë nevoje kanë të fshihen përmes maskave, kjo nuk është legjitime, këta janë bandë terroriste, e cila e cenon rendin dhe kushtetutshmërinë, ligjshmërinë e Republikës së Kosovës duke i sulmuar institucionet e Republikës së Kosovës, gjegjësisht edhe forcat e sigurisë, e veprimtaria e tyre është definicioni i terrorizmit. Andaj, këto janë banda terroriste që veprojnë në veriun e Kosovës e që janë të kontrolluara dhe të komanduara direkt nga presidenti Vuçiq”, thotë Musliu.

Ai komenton edhe kërkesat e Serbisë për lirimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, ish-pjesëtar i MUP-it, i cili akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues, për çka thotë se nuk negociohet për terroristë.

“Ai duhet të paraqitet në gjykatën e Prishtinës dhe duhet të verifikohet aktakuza ndaj tij. Ai akuzohet për terrorizëm dhe si akt i tillë nuk mund të falet ndaj askujt. Republika e Kosovës nuk negocion me terroristë, me grupe terroriste dhe kjo është e qartë dhe nuk ka asnjë dyshim në asnjë aspekt. Ai duhet të paraqitet në gjykatë si përfaqësues i këtyre grupeve terroriste. Unë mendoj se edhe pjestëtarë të tjerë do të arrestohen dhe do të sillen para institucioneve të drejtësisë të Republikës të Kosovës”, thotë Musliu.

Ndonëse thotë se barrikadat në veri kanë mundur të largohen më herët, njohësi i çështjeve të sigurisë thotë se Policia e Kosovës është duke i kryer detyrat e saj me përpikmëri. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Musliu thekson se po qëndrojnë në atë pjesë për të siguruar të gjithë qytetarët e Republikës pa marrë parasysh etninë e tyre, duke tentuar që të parandalojnë sulmet e këtyre grupeve terroriste në veriun e Kosovës.

Ai demandon edhe deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq i cili kishte mohuar plagosjen e policit Ekrem Neziri, për çka përmendi faktet që eksistojnë lidhur me këtë sulm.

Për ekspertin e sigurisë, Agim Musliun kërcënimet e Vuçiqit për kthimin e trupave serbe në Kosovë bëhen me qëllim të shpërqendrimit nga fokusi kryesor, e që është aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, që pritet të ndodhë këtë javë.

“Edhe vet Vuçiqi e din se kjo është e pamundur. Prapa kësaj fshihet loja e ‘shahut rus’. Do të thotë, është defragmentimi i ngjarjeve. Së pari ishin tabelat, polici, zgjedhjet e të tjera, për të shpërqendruar nga fokusi kryesor dhe për të përfituar kohë më shumë dhe një pozicion më të favorshëm në bisedime. Edhe vetë Vuçiqi e din se me marrëveshjen e Kumanovës gjer në vitin 2003, kjo ide ka vdekur, nuk është e mundur më të ndodhë. Një gjë të tillë e ha hedhur poshtë vet NATO dhe Republika e Kosovës dhe vet Vuçiqi vet ka thënë ‘unë do të tentoj por është e pamundur, por do të tentojë’. Do të thotë në momentin kur ne aplikojmë në BE, ai do të aplikojë për kthimin e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë, për të minimizuar këtë veprim tonin dhe për të frikësuar edhe më tutje shtet evropiane, të cilat nuk e kanë parë fytyrën e vërtetë të tij apo frikësohen nga Rusia e madhe”, thotë eksperti i sigurisë.

Në krejt situatën që po mbretëron në veri të vendit, Musliu nuk lë pa përmendur as ndikimin e Bashkimit Evropian. Ai konsideron se ndaj Serbisë duhet të vendosen sanksione sikurse ndaj Rusisë.

“Shtetet e Evropës nuk duan ta kuptojnë realitetin që zhvillohet në Ballkan dhe politikën që e zhvillon Vuçiqi, politikën ndihmëse, apo patericën e Putinit në Ballkan, duke tentuar ta destabilizojë edhe Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e të tjera… Evropa në tërësi duhet të jetë shumë më agresive ndaj politikës ruse e cila implementohet nëpërmjet Vuçiqit në Ballkan. Të gjitha sanksionet ndaj Rusisë duhet t’i aplikohen Serbisë, sepse është implementuese apo vazhduese e interesave ruse në Ballkan. Nuk ka kuptim nëse vetëm Rusisë i vendosen sanksione, ndërsa në Serbi e ledhatojnë”, thekson ai.

Musliu përmend edhe për grupin e mercenarëve paralimitarë rusë “Wagner”, i cili ka hapur qendër në Serbi. Sipas tij, gjeneza e tij është në Beretat e kuqe famëkeqe të Serbisë , të cilët bënin krime ne Bosnje, Kroaci e së fundi në Kosovë, duke kryer veprimtari kundër popullit të pambrojtur. Derisa thotë se “aty ku hasnin në ushtarë të UÇK-së iknin si hienat”.

Barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Ai dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri. Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim.

Thirrje për largimin e barrikadave kanë bërë edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Beograd, duke thënë se arrestimi i Pantiqit po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve.

Grupet kriminale serbe të maskuar kanë sulmuar Policinë e Kosovës, gazetarët dhe misionin e BE-së, EULEX.

Si pasojë, një polic i Kosovës është lënduar, për çka ka marrë edhe trajtim mjekësor. /kp/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

Lajme
FSK zgjedh ushtarin më të mirë për vitin 2024

FSK zgjedh ushtarin më të mirë për vitin 2024

Siguri
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Tentim-vrasja në Dragash, dhëndri plagos ish-vjehrrin jashtë objektit të gjykatës

Tentim-vrasja në Dragash, dhëndri plagos ish-vjehrrin jashtë objektit të gjykatës

Kronika e Zezë
Gjenden pa shenja jete dy personaa, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Gjenden pa shenja jete dy personaa, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Plagoset një person në Dragash

Plagoset një person në Dragash

Kronika e Zezë
Kalo në kategori