LAJMI I FUNDIT:

Musk shtyn vizitën për në Indi për shkak të ‘tensioneve’ në Tesla

Musk shtyn vizitën për në Indi për shkak të ‘tensioneve’ në Tesla

Elon Musk ka shtyrë një vizitë në Indi e cila përfshinte takim edhe me kryeministrin indian, Narendra Modi, me arsyen se ka “shumë detyrime” në Tesla.

“Për fat të keq, detyrimet në Tesla bëjnë që vizita në Indi të shtyhet, por mezi pres ta vizitoj më vonë këtë vit”, shkroi Musk në një postim në X.


Bëhet e ditur se ky vendim i miliarderit vjen pas një jave plot tension në Tesla, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Kjo pasi së fundmi Musk ka njoftuar edhe për reduktimin e më shumë se 10 për qind të punonjësve global.

Gjithashtu, kompania ka tërhequr pothuajse 3,900 kamionçinat e saj Cybertruck për një defekt në pedalet e gazit që mund të shkëputen dhe të përshpejtojnë automjetin, duke rritur kështu rrezikun e një përplasjeje.

Edhe aksionet e kompanisë këtë vit kanë rënë më shumë se 40 për qind, duke e ulur vlerën e saj në treg në më pak se 470  miliardë dollarë.

Ndryshe, India ka nisur votimin për zgjedhjet kombëtare ku Modi garon për një mandat të tretë. Investimet nga miliarderë si Musk do t’ia shtonin votuesit.

Musk po kërkon leje që Starlink dhe SpaceX të operojnë edhe në Indi.

Edhe Tesla është përpjekur të depërtojë në Indi prej vitesh, por pengesë ishin taksat e larta të importit. /Telegrafi/