LAJMI I FUNDIT:

Murati: Regjistrimi i Popullsisë i vitit 2022 do jetë më cilësor dhe më i sigurt

Murati: Regjistrimi i Popullsisë i vitit 2022 do jetë më cilësor dhe më i sigurt

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka mbajtur debat publik lidhur me Projektligjin e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.

Nga aty u tha se Regjistrimi i Popullsisë ndikon që të kemi një pasqyrë më gjithëpërfshirëse për përgatitjen e planeve strategjike që ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve.


Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati deklaroi se Projekti i Regjistrimit të Popullsisë 2022 do jetë më cilësor dhe më i besueshëm.

Murati tha se regjistrimi i Popullsisë është projekt i rëndësishëm nacional që mundëson të adresohet drejtë sfidat dhe objektivat që do të ndikojnë në krijimin e një shteti zhvillimor dhe funksional përballë nevojave të qytetarëve të vendit.

“Regjistrimi i Popullsisë i viti 2022 do mbuloj edhe një boshllëk me të dhënat duke krijuar kështu një bazë solide për hartimin dhe zbatimin dhe monitorimin e një game të gjerë të politikave publike të cilat do kenë ndikimin e drejtpërdrejt në mirëqenie të qytetarëve tanë.

Me zhvillimet e fundit përgatitore pritjet janë që ky regjistrim i popullsisë të jetë më cilësor se sa ai i vitit 2011 kemi ndryshim edhe sa i përket numri të pyetjeve, por po besoj që edhe sistemi dhe teknologjia e monitorimit që do aplikohet do ketë ndikimin e vetë pozitiv.

Ky aplikim i kësaj teknologjie pra pritet që ta shkurtoj kohën e publikimit të raporteve finale, do ofroj siguri në mbrojtjen e informacionit statistikor si dhe do minimizoj kohën e respondentëve. Regjistrimi i Popullsisë përveç që do fuqizoj sistemin statistikor në përgjithësi gjithashtu do mundësoj të adresohet drejtë adresimi i sfidave dhe objektivave që do ndikojnë në krijimin e një shteti zhvillimor dhe funksional përballë nevojave të qytetarëve të vendit”, theksoi ai.

Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilija Rexhepi u shpreh si ekzekutiv janë të interesuar për këtë projekt meqenëse viteve të fundit është rritur migrimi në Kosovë, ndonëse pandemia e ka stagnuar por nuk dihen të dhënat.

Ajo shprehu gatishmërinë për projektin e Regjistrimit të Popullsisë derisa kërkoi përfaqësim edhe për komuniteteve pakicë në vend.

“Ne si Qeveri kryesisht jemi të interesuar për këtë projekt meqë migrimi i popullsisë në kohët e fundit është në një nivel më të lartë, është e saktë që pandemia COVID e ka ndërprerë por nuk kemi të dhëna të sakta për numrin për të gjithë qytetarët tanë. Jam e interesuar për të përcjell gjendjen të organizatave tjera më të margjinalizuara dhe bashkësive etnike më të vogla që janë të përfaqësuara në sistemin tonë. Në kufijtë e mundësive të mija do jap kontributin tim për këtë temë të rëndësishme dhe besoj që edhe ekspertët e bashkësive etnik që janë pakicë do jetë të përfaqësuara”, tha ajo.

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Ilir Berisha tha se qëllimi kryesor i regjistrimit të popullsisë është të siguroj fakte thelbësore për politikbërjen dhe administrimin në nivelin qendror dhe lokal.

“Qëllimi kryesor i Regjistrimit të Popullsisë është të siguroj fakte thelbësore për politikbërje, planifikim dhe administrim në nivel qendror dhe lokal. Gjithashtu një qëllim në vete është përveç statistikën të mundësoj krijimin e kornizës së mostrave që mundësojnë zgjedhjen e mostrave për realizimin e anketave të shumta për hulumtime të çështjeve të ndryshme si ai për fuqi punëtore, i standardit jetësor, i migracionit dhe të tjera që mundësojnë në vazhdimësi të nxjerrin tregues të rëndësishëm”, u shpreh Berisha.

Menaxheri i Regjistrimit të Popullsisë në ASK, Avni Kastrati tha se formularët për projektin e regjistrimit të popullsisë janë më të zgjeruar krahasuar me atë të vitit 2011.

Ai tha se këtij projekti të rëndësishëm do i paraprij një fushatë intensive.

“Formularët janë zgjeruar pak krahasuar me vitin 2011, 9 % më shumë ka pyetje thelbësore, dhe 12 % pyetje jo thelbësore që është një ngarkesë për një regjistrim por e dini regjistrimi i popullsisë është si projekt i vetëm që bie të dhëna shumë reprezentative por në interes të çështjeve nacionale të institucioneve[…]Posa të kemi të një datë të saktë të regjistrimit do kemi një fushatë intensive të komunikimit me gjithë shfrytëzuesit dhe do diskutohet edhe për formularët”, theksoi Kastrati.

Regjistrimi i Popullsisë ishte planifikuar të ndodhte në vitin 2021, por për shkak të zhvillimeve pandemike është shtyrë për vitin e ardhshëm. /kp/