LAJMI I FUNDIT:

Mungesa e ujit në disa lagje dhe në periferi të Prishtinës, ujësjellësi thotë se mund të ketë manipulime nga persona të pandërgjegjshëm

Mungesa e ujit në disa lagje dhe në periferi të Prishtinës, ujësjellësi thotë se mund të ketë manipulime nga persona të pandërgjegjshëm

Mungesa e ujit në disa lagje të kryeqytetit si në lagjen e Muhaxherëve, në lagjen Bregu i Dielli, e po ashtu edhe në periferi të Prishtinës në Hajvali, ka bërë që qytetarët të ankohen.

Ata i kanë thënë Telegrafit se kanë mungesë të ujit 24 orë dhe nuk e dinë arsyen.


Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka thënë për Telegrafin se nga sistemi i ujësjellësit uji nuk është ndërprerë.

Sipas saj ndokush mund të ketë manipuluar me valvulat e rrjetit.

“Prej anës tonë, nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit nuk është ndërprerë asgjë. Jemi duke punuar me kapacitete maksimale dhe rezervaret e ujit janjë duke bërë shpërndarje të barabartë të ujit tek të gjithë qytetarët. Mirëpo problemet në fjalë mund të jenë probleme që dikush ka manipuluar me ndonjë valvulë të rrjetit që nuk janë persona të ujësjellësit. Mirëpo gjatë ditës ne do i përcjellim si rast tek ekipet teknike dhe do i dërgojmë në teren që të shohim mos ka ndërprerje të valvulave nga persona të pandërgjegjshëm”, ka thënë ajo.

Ndër të tjera ajo ka theksuar se ka raste edhe kur dikush punon privatisht në shtëpi apo banesa dhe e ndalë ujin.

“Po ashtu kur kemi probleme më të shpeshta të ndaljes së ujit dikush mund të punojë në shtëpi ose banesë punë privatisht dhe shkon e ndal ujin pa i lajmëruar të tjerët. Kjo nuk guxon të ndodhë nga askush qoftë nëpër banesa po shtëpi. Por prej anës tonë është çdo gjë në rregull”, ka thënë ajo./Telegrafi/