Kur s’kemi kohë për veten, truri paguan çmimin – shkencëtarët paralajmërojnë lidhjen e drejtpërdrejtë mes mungesës së kohës dhe demencës

Koha, apo më saktë mungesa e saj, mund të jetë hallka që mungon në parandalimin e demencës. Një studim i ri tregon se personat që nuk kanë mjaftueshëm kohë për t’u kujdesur për veten janë në rrezik më të madh për rënie njohëse.


Sipas kërkimeve të Qendrës për Plakje të Shëndetshme të Trurit (CHeBA) në Universitetin “New South Wales” në Sidnej, mungesa e kohës mund të ndikojë në zhvillimin e demencës pothuajse njësoj si ushqimi apo aktiviteti fizik.

Studimi, i botuar në revistën The Lancet Healthy Longevity, identifikon kohën si një faktor social ende të pavlerësuar për shëndetin e trurit – potencialisht po aq i rëndësishëm sa arsimi dhe të ardhurat. Autorët theksojnë se “pabarazia kohore”, pra shpërndarja e pabarabartë e kohës ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore, mund të ndikojë ndjeshëm në aftësinë e njerëzve për të ulur rrezikun nga demenca.

Çfarë nënkupton mungesa e kohës për kujdes ndaj vetes?

Për të arritur në këtë përfundim, studiuesit analizuan të dhënat epidemiologjike dhe neurologjike për demencën, si dhe studimet mbi përdorimin e kohës. Ata zbuluan se njerëzit që vuajnë nga mungesa e kohës për kujdes ndaj vetes, gjendje e njohur si “varfëri kohore” – kanë shumë më tepër gjasa të zhvillojnë demencë sesa ata që kanë kohë të mjaftueshme për kujdes personal.

“Sipas provave tona, njeriut i duhen të paktën 10 orë në ditë vetëm për aktivitetet bazë që ruajnë shëndetin e trurit, si gjumi, ushqimi, aktiviteti fizik dhe ndërveprimi shoqëror”, shpjegon Dr. Simon Repermund, bashkautore e studimit në CHeBA.

Për shumë njerëz, veçanërisht për ata në pozita të vështira apo që kujdesen për të tjerët, kjo është e paarritshme. Prandaj, adresimi i mungesës së kohës është thelbësor nëse duam vërtet të parandalojmë demencën, transmeton Telegrafi.

Koha – hallka që lidh faktorët e rrezikut

Sipas studimit, eliminimi i faktorëve të njohur të rrezikut për demencë mund të zvogëlojë mundësinë për sëmundjen me deri në 45%. Këta faktorë, të identifikuar nga Komisioni Lancet më 2024, përfshijnë:

  • arsimim të pamjaftueshëm në fëmijëri
  • hipertension
  • diabet
  • kolesterol të lartë
  • mungesë aktiviteti fizik
  • mungesë ndërveprimi shoqëror
  • dhe tetë variabla të tjera të stilit të jetesës.

Të gjitha këto lidhen me kohën. Për të shmangur kolesterolin dhe diabetin, nevojitet kohë për përgatitjen e ushqimeve të shëndetshme; për të qenë aktiv, duhet kohë për ushtrime; për të ruajtur lidhjet shoqërore, kërkohet kohë për familjen dhe miqtë.

Pengesa e padukshme në uljen e rrezikut

Kërkimi vë në dukje se faktorët strukturorë, si oraret e gjata të punës, detyrimet për kujdes ndaj të tjerëve, mbingarkesa dixhitale dhe vështirësitë ekonomike – krijojnë një “varfëri kohore” që prek veçanërisht grupet më të cenueshme. Kjo, nga ana tjetër, thellon pabarazitë ekzistuese në shëndet dhe e kufizon mundësinë për sjellje të dobishme për trurin.

“Edhe pse e dimë se gjumi, ushqimi, aktiviteti fizik dhe kontaktet shoqërore ndihmojnë shëndetin e trurit, të gjitha ato kërkojnë një burim kritik – kohën”, thekson prof. dr. Susan Rair, autorja kryesore e studimit.

“Rreth 45% e rasteve të demencës në botë mund të parandalohen nëse eliminohen faktorët e ndryshueshëm të rrezikut. Por shumë njerëz thjesht nuk kanë kohë për t’u ushtruar, për t’u çlodhur apo për të ruajtur lidhjet shoqërore. Kjo mungesë kohe është një pengesë e fshehtë në luftën kundër demencës”, shton ajo.

Çfarë janë “varfëria kohore” dhe “pabarazia kohore”?

Varfëria kohore përshkruan gjendjen kur një person nuk ka mjaftueshëm kohë të lirë për nevoja bazë jashtë punës, si:

  • pushimi, kujdesi për shëndetin
  • jeta familjare e shoqërore
  • arsimi
  • aktivitetet e lira ose hobet
  • detyrat shtëpiake.

Në këtë rast, personi mund të jetë ekonomikisht i sigurt, por “i pasur me detyrime dhe i varfër me kohë”. Ndërsa pabarazia kohore është fenomeni shoqëror kur disa grupe kanë shumë më tepër kohë të lirë, ndërsa të tjerat janë të mbingarkuara pa mundësi zgjedhjeje.

Si të arrihet barazia kohore?

Studiuesit kërkojnë reforma në vendin e punës dhe në politikat publike, me qëllim krijimin e “drejtësisë kohore”, një mënyrë për të matur dhe shpërndarë më mirë kohën për të gjithë. Kjo mund të arrihet përmes:

  • investimeve në transport publik që shkurtojnë kohën e udhëtimit,
  • orareve më fleksibël të punës,
  • politikave të “të drejtës për t’u shkëputur” pas orarit,
  • dhe shërbimeve të përballueshme për kujdesin ndaj fëmijëve.

“Shëndeti i trurit nuk mund të mbështetet vetëm te ndryshimi i sjelljes individuale,” thekson prof. dr. Perminder Sachdev, bashkautor i studimit.

“Nëse njerëzit nuk kanë burimin më themelor, kohën, për të ndjekur këto këshilla, rrezikojmë të lëmë pas pikërisht ata që kanë më shumë nevojë. Ashtu si luftojmë kundër pabarazive në të ardhura, duhet të veprojmë edhe kundër pabarazisë në kohë.”

Përfundim:

Studimi e vendos kohën në qendër të diskutimit për shëndetin e trurit. Mungesa e saj është një formë moderne e stresi kronik që ndikon drejtpërdrejt në trurin tonë. Kujdesi ndaj vetes kërkon jo vetëm vullnet, por edhe kohë të mjaftueshme për të jetuar me vetëdije. /Telegrafi/