Taksa doganore prej 100 përqind që Qeveria e Kosovës e ka vendosur për importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, mund të zëvendësohet me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë, thonë njohës të fushës së ekonomisë.

Vendosja e taksës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për këto dy shtete ka ngritur tanimë pakënaqësi të mëdha tek mekanizmat ndërkombëtarë, në veçanti tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat kanë thënë se kjo taksë nuk përkon me interesat amerikane, pasi që po pengon vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që si qëllim ka arritjen e një marrëveshjeje paqësore.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, në radhët e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ka mekanizma të ndryshëm që mund të zbatohen në raport me Serbinë, si masa sanksionuese për sjelljet që ky shtet i ka në vazhdimësi në raport më Kosovën.

Sipas saj, në mesin e këtyre masave është edhe reciprociteti.

Qytetarët flasin për Telegrafin: Taksa ndaj mallrave serbe nuk duhet të largohet (Video) Qytetarët flasin për Telegrafin: Taksa ndaj mallrave serbe nuk duhet të largohet (Video)

“Nëse merren parasysh mekanizmat shtetëror dhe subjektiveti ndërkombëtarë, Serbia ka më shumë mundësi që që t’i bëjë dëm Kosovës, ndërsa Kosova i ka më të kufizuara mundësitë që të sillet njësoj me Serbinë. Por, ka hapësirë të mjaftueshme që ato masa të zbatohen dhe të vendosen në vazhdimësi si përgjigje e menjëhershme e sjelljes destruktive të Serbisë ndaj Kosovës, duke filluar nga masat tregtare që janë në fuqi, por që nuk e kanë të përcaktuar afatin ose nuk e kanë përcaktuar një objektiv tjetër, përveç njohjes deri tek masat tjera që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë, me njohjen reciproke të dokumentacionit e kështu me radhë”, thekson Kusari-Lila.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në vazhdimësi ka theksuar se do vazhdojë që të mbajë në fuqi taksën 100 përqind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina derisa Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke.

Taksa 100% 'ndali' importet e Serbisë në Kosovë Taksa 100% 'ndali' importet e Serbisë në Kosovë

Kusari-Lila thekson se Qeveria e Kosovës qysh në fillim të vendosjes së taksës është dashur të ketë një objektiv tjetër, pasi që siç thekson ajo, përgjithësimi i objektivës deri në njohje e ka mbajtur presionin vetëm në palën kosovare.

Kosova, shton Kusari – Lila është dashur të ketë objektiva të matshme në veçanti me marrëveshjet të cilat tani i ka nënshkruar Serbia e që nuk po i zbaton.

“Tani si është e vendosur kjo taksë nuk ka lënë hapësirë dhe fleksibilitet të veprimit apo ndërveprimit dhe duhet të shihet se cila do të jetë mënyra e menaxhimit të situatës e cila jo pak po i sjell probleme Kosovës dhe po ashtu i ka vënë në pikëpyetje raportet tash më jo me Serbinë, por me partnerët tjerë strategjik në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë Kusari Lila.

Një masë reciprociteti Kosova e kishte aplikuar në korrik të vitit 2011.

Kjo masë e reciprocitetit në atë kohë ishte marrë pasi që Serbia për tre vite pas shpalljes së pavarësisë në Kosovën në vitin 2008 kishte bllokuar mallrat nga Kosova për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.

Kusari-Lila, e cila ishte ministre e Tregtisë dhe Industrisë, rikujton se në atë kohë kjo masë e cila ishte mbajtur për 50 ditë kishte rezultuar me arritjen e marrëveshjes për njohjen e vulave të doganave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë, Instituti Demokratik i Kosovës të martën ka prezantuar skenarët që përfshijnë efektet e tyre pozitive dhe negative në rast të mbajtjes apo pezullimit të taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Bizneset kërkojnë nga Qeveria që të mos hiqet taksa 100% Bizneset kërkojnë nga Qeveria që të mos hiqet taksa 100%

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se fusha në të cilën taksa 100 për qind ka pasur më së shumti ndikim është procesi i dialogut Kosovë-Serbi.

“Efekt tjetër mjaft pozitiv është edhe tentimi që taksa të parandalojë skenarët negativë për Kosovën në kuadër të procesit të dialogut, të cilët mund të manifestohen nëpërmjet marrëveshjeve të caktuara të cilat janë të disfavorshme për Kosovën. Efekti negativ është fuqizimi i rolit dhe pozitës së Serbisë në procesin e dialogut dhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare në dëm të Kosovës pasi që Kosova është parë si palë e cila është duke penguar procesin e dialogut”, thotë Cakolli.

Shpalosën dy skenarët për mbajtjen apo pezullimin e taksës 100% Shpalosën dy skenarët për mbajtjen apo pezullimin e taksës 100%

Sipas analizës së Institutit Demokratik të Kosovës thuhet se në rastin e pezullimit të taksës 100 për qind është identifikuar si efekt pozitiv vazhdimi i dialogut me Serbinë.

Pezullimi i taksës, sipas KDI-së do të fuqizonte pozitën negociuese të Kosovës në tryezën e diskutimeve pasi që sipas analizës ‘Kosova tani ka një instrument kushtetues dhe mund ta përdorë këtë instrument edhe për të imponuar tema të caktuara të cilat duhet të diskutohen në kuadër të procesit të dialogut.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina është në fuqi që nga 21 nëntori i vitit të kaluar.

Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi. /REL/Telegrafi/