LAJMI I FUNDIT:

A mund ta ndihë Kosova në kulturë Shqipërinë dhe anasjellas?!

A mund ta ndihë Kosova në kulturë Shqipërinë dhe anasjellas?!

Dy qeveritë shqiptare të kohës kanë zhvilluar pesë takime mes tyre. Të rrethuar me skenografi patetike, por edhe shumë të goditura për t’i dhënë frymë shqiptarizmës, ato janë dukur më shumë si ushqim për nacionalistët dhe mllefin e fqinjëve sesa realisht të vyera për bashkëpunimin.

Pak ditë më pas, marrëveshjet janë treguar se fusnin ujë nga të gjitha anët dhe se nuk ishte aq e lehtë që Shqipëria dhe Kosova t’ia dilnin të bënin së bashku shumë gjëra, që nënshkruheshin. Në ekonomi është provuar lehtë se marrëveshjet tona janë gjithë probleme se barrierat janë ende shumë të vështira, tregu i përbashkët mbetet ende iluzion etj. Por, nga ana tjetër dhe kultura ka treguar se nuk është në atë frymë që mendohet dhe shpallet nga ministrat respektivë.


Kalendarët e përbashkët nuk është se i kanë dhënë frymë impakti artit në të dy vendet, kurse shihet se rrugët e Kosovës dhe Shqipërisë janë të ndara në art dhe madje ka frymë që nuk i qas qysh në bashkëpunimin esencial.

Lufta e marketingut për të shpallur vlerat dhe për t’u afirmuar me anë të tyre në një farë mënyre kërkon të shmangen shumë gjëra. Dhe, pa asnjë mëdyshje dhe ato që kanë lidhje me patetizmin e memorandumeve. Të dy vendet tona luftojnë më shumë për afirmim, por duket se avantazhi është nga Kosova që ka një qasje më të afërme me tregun e huaj dhe ka treguar se funksionon shumë më mirë. Inerci mbase e kohës së shkuar, por edhe e konfigurimit shtetëror kosovar, ku faktori i huaj është jo vetëm prezent po edhe tepër ndihës, sa i përket lidhjeve dhe jehonës artistike në qarqe më elitare.

Dhe, në artin kosovar ke elementë pafund që kanë qasje ndërkombëtare dhe projekte të huaja, por edhe aktivitete që janë realisht shumë më të mira se në Shqipëri.

A ka gjasë që kosovarët dhe shqiptarët të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin?

Për sa kohë lufta e tregut kërkon evidentim ajo do konkurrencën dhe ajo bëhet ndaras në vetë tregun kosovar dhe te tregu shqiptar. Që do të thotë, problemi është zgjidhja e gjërave që janë në vetë tregjet e brendshme dhe pastaj mund të mendohet për bashkëpunimin. Shqiptarët janë ende produkte të një tregu që lë shumë për të dëshiruar dhe me politika tejet inferiore.

Por, më i madh problemi është se të dy vendet nuk kanë një synim të përbashkët sesi të inkurajojnë artin e përbashkët ose një produkt që të jetë më i mbathur me vlera. Projektet që ofrohen të paktën nga Ministria e Kulturës janë aq të vogla saqë ato janë të pamjafta që një njeri të punojë për projekte më të mëdha. Ose më saktë, Ministritë respektive të Kulturës zgjidhin sensin e projekteve të vogla, që “t’i kënaqin” të gjithë.

Enver Petrovci e shprehte hapur në një intervistë në një të përditshme, kur tregonte modelin e shkuar dhe faktin që njerëzit që kishin treguar se mund të bënin gjëra të mira inkurajoheshin për më shumë. Një gjë që nuk ndodh sot. Ashtu, si nuk ndodh, ideja e kryeministrit për të përcjellë burokratët kosovarë në administratën shqiptare. Rasti i drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe heqja dorë pa dhënë asnjë shpjegim nga aktiviteti i saj më prestigjioz “Onufri”, tregon se shumë gjëra nuk funksionojnë mes nesh, por më shumë ajo frymë që besohet të mbillet nga politikanët.

Burokratët që vinë më pas poshtë tyre dhe që duhet t’u japin frymë gjërave janë minues të çdo fryme të mirë sepse në kokë kanë ende stereotipat. Mu ato që na mbajnë aq të ndarë realisht me njëri-tjetrin. /Milosao/