Ish-kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert, i cili mori pjesë në samitin e Delphit në Greqi, vlerësoi qëndrimin e Kosovës dhe të Shqipërisë, duke theksuar se Izraeli i konsideron të rëndësishme marrëdhëniet me vendet që mbështesin luftën kundër terrorizmit dhe mbajnë qëndrime të qarta në arenën ndërkombëtare.

“Çdo vend që mban qëndrim të qartë kundër Gardës Revolucionare të Iranit dhe organizatave terroriste është diçka që ne e shohim pozitivisht”, ka thënë Olmert për Tv Klan.


Ish-kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert, gjatë një interviste ekskluzive për Klan News, ka folur për situatën në Lindjen e Mesme, luftën me Iranin, zhvillimet politike në Izrael dhe rolin e Shteteve të Bashkuara. Edhe pse thotë se Izraeli ka një epërsi ushtarake ndaj Teheranit, rrëzimi i regjimit të Iranit mund të ndodhë pas disa vitesh.

“Në aspektin ushtarak, Izraeli ka një epërsi të qartë ndaj Iranit. Është arritur kontroll ajror dhe janë goditur shumë objektiva ushtarake dhe infrastruktura strategjike. Por pyetja më e rëndësishme është nëse kjo sjell një fitore strategjike afatgjatë. Dhe këtu përgjigjja nuk është e qartë. Unë nuk besoj se rrëzimi i regjimit në Iran mund të ndodhë shpejt. Ky është një proces që mund të zgjasë shumë vite, ndoshta dekada.”

Olmert thotë se, në vend të sulmeve, do të kishte preferuar një marrëveshje për kontrollin e aktiviteteve bërthamore të Iranit nga ndërkombëtarët.

“Unë do të kisha preferuar një marrëveshje të fortë ndërkombëtare për programin bërthamor iranian, si ajo e vitit 2015, ose edhe më e përmirësuar. Qëllimi duhet të jetë kontrolli i plotë i aktivitetit bërthamor ushtarak të Iranit përmes mbikëqyrjes ndërkombëtare. Kjo është mënyra më e qëndrueshme për të ulur kërcënimin.”

Ai ishte i ashpër ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu, si në mbrojtjen ndaj qytetarëve, ashtu edhe në goditjen e Hamasit.

“Unë mendoj se Netanyahu ka dështuar në mënyrë dramatike në mbrojtjen e qytetarëve izraelitë gjatë sulmeve të 7 tetorit, ku u vranë mbi 1 200 njerëz. Që atëherë, lufta nuk ka prodhuar një rezultat të qartë dhe përfundimtar. Ajo që është më shqetësuese është se Hamasi vazhdon të jetë aktiv në Gaza dhe kërcënimi në veri nuk është zhdukur, pavarësisht deklaratave zyrtare. Përveç kësaj, kemi edhe një krizë të brendshme të thellë në Izrael. Ka polarizim ekstrem dhe probleme serioze me sistemin demokratik. Për këto arsye, unë jam kundër Netanyahu-t.”

Sa i përket marrëdhënieve me Turqinë, ish-kryeministri izraelit theksoi se SHBA-të mund të luajnë një rol ndërmjetësues mes Tel Avivit dhe Ankarasë, duke theksuar se diplomacia mbetet kyçe për stabilitetin në rajon./Tv Klan