LAJMI I FUNDIT:

Muhaxheri s’e mohon se kërkoi përjashtimin e pesë deputetëve nga LDK-ja

Muhaxheri s’e mohon se kërkoi përjashtimin e pesë deputetëve nga LDK-ja

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, njëherësh kryetar i degës së LDK-së në këtë komunë, nuk e ka mohuar se në një takim me kryeministrin Isa Mustafa dhe krerë të degëve të tjera të kësaj partie kishte kërkuar përjashtimin e pesë deputetëve të cilët kishin munguar në seancën kur Hashim Thaçi u zgjodh president.

Ai në Interaktiv ka thënë se kjo temë nuk është për publikun, megjithëse ka thënë se nuk frikësohet ta thotë mendimin e tij.


“Nuk është temë që duhet diskutuar jashtë partisë. Ata e dinë detyrën. E kanë pas edhe rregulloren e Grupit Parlamentar. Veprimet e tyre janë kundër dhe për hakun e tyre duhet të diskutohet në mbledhje e jo të dalin në televizione e media ku kanë diskutuar kryetarët e degëve. Unë besoj që kur të mblidhen struktura relevante nuk do të hezitoj që të them mendimin tim, sado që dikujt s’i pëlqen, përherë e kam thënë”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për djegien e veturave, konkretisht për atë të sekretarit të partisë Ismet Beqiri.
Ka thënë se ky akt nuk i kontribuon qetësisë në vend duke kërkuar nga organet e rendit që të sjellin sa më shpejtë para drejtësisë kryerësit e aktit.

Kryetari i Pejës ka treguar edhe për gjendjen në të cilën ndodhet qyteti perëndimor i Kosovës pas vërshimeve që u shkaktuan nga reshjet e shumta gjatë ditës së sotme.

Ai ka treguar se organet kompetente ishin në nivel të detyrës dhe se tani situata është më e qetë.