LAJMI I FUNDIT:

MPJD shpalos dy programe për mërgatën

MPJD shpalos dy programe për mërgatën

Ministrja Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe zëvendësministrja e këtij dikasteri, Liza Gashi, sot prezantuan dy programe të cilat pritet të forcojnë edhe më shumë lidhjen e mërgatës me Kosovën.

Në një konferencë për media, Gërvalla dhe Gashi njoftuan se këto dy programe, Programi Karvani i Diasporës 2022 dhe programi tjetër, pilot, Programi për Diplomaci Publike, që do të ketë në fokus diplomacinë qytetare, fillojnë së implementuari përmes platformës online ShijoKosoven.com, e cila do të lansohet të mërkurën pasdite në qytetin e Gjilanit.

Në njoftimin për media thuhet se Karvani i Diasporës 2022 do të fillojë rrugëtimin nga qyteti i Gjilanit më 27 korrik dhe do të vazhdojë nëpër qytete të tjera të vendit deri më 7 gusht, ku përveç bashkëbisedimit me qytetarë, shkëmbimit të ideve, ofrimit të programit muzikor e argëtues, do të prezantohet edhe pilot-projekti për diplomaci qytetare, si dhe do të bëhen të ditura në detaje mundësitë e përfshirjes së të rinjve të mërgatës, profesionistë, në jetën institucionale të Republikës së Kosovës.

“Republika e Kosovës, shtet i pavarur, sovran dhe demokratik nuk do të mund të realizohej pa kontributin edhe të mërgatës shqiptare anembanë botës. Gjatë okupimit të Kosovës dhe sundimit të regjimit të Millosheviçit, mërgata e organizuar me një solidaritet të jashtëzakonshëm ndihmoi familjet në nevojë, por mbi të gjitha luajti rol vendimtar në ndërtimin e shtetit paralel, internacionalizimin e çështjes së Kosovës dhe sigurimin e përkrahjes së botës demokratike për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës”, tha ministrja Gërvalla para gazetarëve.

Tutje, thuhet se Programi Karvani i Diasporës 2022 bazohet kryesisht në platformën ShijoKosoven.com, ku mërgimtarët jo vetëm që do të shohin programin që do të ofrohet nga tri ministri të ndryshme, si bashkautore, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria për Kulturë Rini dhe Sport dhe Ministria për Arsim Shkencë dhe Teknologji, mirëpo në të njëjtën kohë sikur e theksoi Ministrja Gërvalla, të gjithë do të mund të japin mendimet e tyre, propozimet, kritikat dhe çfarëdo që mendojnë, jo vetëm për programin, por edhe për atë sesi mendojnë që mërgata mund të përfshihet më mirë në jetën institucionale, ekonomike e shoqërore të Kosovës.

Ndërsa, lidhur me programin që ka të bëjë me diplomacinë publike, e që ka në fokus diplomacinë qytetare, Gërvalla tha se është një interesim i natyrshëm i Republikës që të rinjtë të cilët janë lindur e rritur në mërgatë, të kenë mundësi që Kosovën ta njohin përtej lidhjeve familjare e farefisnore, ta njohin jetën në Kosovë dhe njëkohësisht edhe potencialin profesional që Kosova mund t’u ofroj atyre.

Për të dyja programet foli edhe zëvendësministrja Gashi, e cila tha se e gjithë kjo po bëhet në kuadër të punës së bërë për angazhimin dhe përfshirjen e diasporës në kuadër të Planit qeveritar 2021-2024, që sipas saj, është transferi i dijes në fokus, por edhe ndërlidhja e mërgatës me vendin amë.

“Qëllimi kryesor i platformës ShijoKosoven.com është një bashkëbisedim aktiv dhe rrugëtim me mërgatën në qytete të ndryshme të Kosovës. Në këtë rrugëtim ne kemi partneritet të përbashkët me tri ministritë e linjës, mirëpo përtej kësaj është e rëndësishme të theksohet se në fillim të qershorit Ministrja Gërvalla ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Asociacionin e Komunave të Kosovës, sepse është shumë e rëndësishme të kuptojmë që angazhimi i diasporës në konceptin e vendit ndërlidhet shumë me lokacionin ku ata kanë jetuar, kanë familjarë dhe kanë një ndërlidhje si të kujtesës ashtu edhe atë shoqërore”, theksoi ajo.

Sa i përket programit të dytë, Gashi tha se është program lidershipi, i dizajnuar të zgjasë gjashtë muaj angazhim në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe i dedikuar për studentë të cilët janë në vitin e fundit të studimeve Bachelor dhe studentë të nivelit Master.

“Programi, si pilot projekt synon të kanalizojë energjinë që ka transferi i dijes dhe i ekspertizës, por mbi të gjitha synon qarkullimin e dijes brenda institucionit tonë në fusha ku neve kemi hapësirë, një ndërlidhje mes nesh, njohjen e të rinjve dhe të rejave profesionistë të mërgatës me jetën dhe shoqërinë në Kosovë, me trashëgiminë e saj, si dhe informimin e shoqërisë së tyre në vendin ku ata jetojnë për shtetin tonë – Kosovën”.

Zëvendësministrja Gashi më këtë rast ftoi të gjithë të rinjtë dhe të rejat profesionistë në diasporë që të aplikojnë të bëhen bursistë të programit pilot për diplomaci qytetare të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Aktivisti i PSD-së i shkon në tavolinë deputetit të LVV-së: A po ju vjen marre që e pranuat

Aktivisti i PSD-së i shkon në tavolinë deputetit të LVV-së: A po ju vjen marre që e pranuat "Zajednicën", për Këshillin e Evropës...

Lajme
Vrasjet e fundit, ekspertët tregojnë lagjet më problematike të Prishtinës

Vrasjet e fundit, ekspertët tregojnë lagjet më problematike të Prishtinës

Siguri
Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori