Motorola pritet që në javët e ardhshme të prezantojë modelin e ri Edge 2026, ndërsa para prezantimit zyrtar në internet kanë dalë rendera që tregojnë pamjen e pajisjes së re.

Sipas materialeve të publikuara, Motorola Edge 2026 vjen me një dizajn në ngjyrë jeshile ulliri dhe me një pjesë të pasme me teksturë. Dizajni i përgjithshëm mbetet i ngjashëm me gjeneratën e mëparshme, por me disa ndryshime të dukshme.


Ndryshimi më i madh është në ekran, i cili këtë herë është i rrafshët (flat), në vend të panelit të lakuar që kishte Edge 2025. Telefoni pritet të ketë edhe korniza të holla dhe të barabarta në të gjitha anët.

Në pjesën e pasme gjendet një modul kamere me formë të njohur, ndërsa renderat tregojnë një sistem me tre kamera. Megjithatë, specifikat e sakta të sensorëve ende nuk janë konfirmuar.

Sipas pamjeve, telefoni pritet të ketë edhe një buton shtesë në anën e majtë, që mund të shërbejë për funksione AI ose akses të shpejtë, ndërsa në anën e djathtë janë butonat standardë të volumit dhe ndezjes.

Për momentin, pjesa tjetër e specifikave nuk është bërë e ditur, por pritet që më shumë detaje të publikohen në javët në vijim, pasi Motorola po përgatitet për prezantimin zyrtar të modelit Edge 2026. /Telegrafi/