eksperti-banner

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një mesazh të gjatë që, sipas tij, është një nga qindra mesazhet e mbështetjes që ka marrë së fundmi.

Në hyrje të postimit, Rama shkruan se “nuk ka forcë që na ndal, mua, ju, Partinë Socialiste e çdo qytetar pa parti që beson tek unë, në misionin tonë drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”, ndërsa pranon se “ka shumëçka që kërkon ende korrigjim me punë këmbëngulëse”.


Mesazhi i publikuar është dërguar nga një shqiptar që jeton dhe punon në Itali, i cili i kërkon kryeministrit të mos japë dorëheqjen.

“Mos e çoni as ndërmend të jepni dorëheqjen! Ju dhe Partia Socialiste keni qenë ata që në vitet e fundit keni punuar për një vizion që ne të rinjve të lindur dhe/ose të rritur jashtë shtetit po na bën të ëndërrojmë”, shkruan ai.

Sipas autorit të mesazhit, zhvillimet në Shqipëri po i bëjnë shumë emigrantë të mendojnë rikthimin në vend.

“Për herë të parë në jetën time mendova: do të dëshiroja të provoja të jetoja dhe të punoja këtu”, shprehet ai, duke iu referuar vizitës së fundit në Shqipëri.

Megjithatë, emigranti rendit edhe një sërë problemesh që, sipas tij, vazhdojnë të pengojnë jetesën normale në vend. Ai përmend moszbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, ndotjen nga mbetjet, korrupsionin dhe problemet në sistemin shëndetësor.

“Korrupsioni është problemi i parë i këtij vendi”, shkruan ai, duke shtuar se “njerëzit që korruptohen nuk janë faji i Edi Ramës”.

Në mesazh vlerësohen gjithashtu projektet turistike dhe investimet e reja në jug të vendit, veçanërisht në zonën e Vlorës.

“Turizmi i masës ka ndihmuar popullsinë të transformojë shtëpitë e tyre në hotele dhe apartamente me qira, por kur ngjitesh në nivel, kalon në një turizëm më të pakët në numër por që shpenzon më shumë”, argumenton ai.

Në fund, autori i mesazhit shpreh mbështetjen e tij për kryeministrin dhe kërkon vazhdimin e reformave.

“Do të gënjeja po të thosha se jam dakord me gjithçka që keni bërë, por është e pamohueshme që ju i keni dhënë një kthesë dhe një zgjim vendit tonë. Ju lutem vazhdoni ta bëni Shqipërinë të madhe dhe të na bëni të ëndërrojmë”, përfundon mesazhi i publikuar nga Rama. /Telegrafi/