LAJMI I FUNDIT:

Monitorimi i katër tenderëve në ndërmarrjet publike, Demokraci Plus me të gjetura

Monitorimi i katër tenderëve në ndërmarrjet publike, Demokraci Plus me të gjetura

Demokraci Plus (D+) ka dalë me një raport për Monitorimin e Prokurimit Publik në Ndërmarrjet Publike: KRM Ekoregjioni, Hidroregjioni Jugor, Ndërmarrja Publike Banesore dhe Hortikultura.

Sipas këtij raporti, ndërmarrjet publike të përfshira në këtë publikim mbulojnë fusha shumë të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve, si: grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave, pastrimin e hapësirave publike, mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbërta dhe furnizimin me ujë të pijshëm.


Po ashtu në këtë raport bëhet e ditur se raporti përfshin katër tenderë të katër ndërmarrjeve publike, si:

1) Furnizimin me pajisje për digjitalizimin e faturimit dhe bizneseve për nevoja të KRM Ekoregjioni;

2) Furnizimin me material higjienik për nevojat e kompanisë Hidroregjioni Jugor;

3) Vlerësimin e pronave të Ndërmarrjes Publike Banesore; dhe

4) Brendimin dhe dixhitalizimin e ndërmarrjes lokale Hortikultura.

Ndërkaq, Demokraci Plus në këtë raport ka gjetur se KRM Ekoregjioni ka kufizuar konkurrencën duke kërkuar një çertifikatë ISO e cila nuk është relevante me natyrën e furnizimit. Si rrjedhojë, në këtë aktivitet ka aplikuar vetëm një operator ekonomik.

Në kuadër të këtij raporti bëhet e ditur se ndërmarrja publike rajonale Hidroregjioni Jugor ka nënshkruar kontratë 10,461.00 euro më pak se vlera e parashikuar, si rezultat i mos analizimit të çmimit të tregut, kështu duke vështirësuar përdorimin e këtyre mjeteve në këtë vit buxhetor.

Ndërsa, ndërmarrja Publike Banesore, pas dështimit të aktivitetit të prokurimit të vitit 2022, në aktivitetin e njëjtë të vitit 2023 ka bërë disa ndryshime në dosjen e tenderit, të cilat kanë ulur numrin e ofertuesve.

“Ndërmarrja publike lokale Hortikultura, ka shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik që nuk ka plotësuar kërkesat në dosje të tenderit, rrjedhimisht ka shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik të papërgjegjshëm”, thuhet në raportin e Demokraci Plus.

Ndryshe, raportin e plotë të Demokraci Plus mund ta gjeni Këtu. /Telegrafi/