Monitorim me dron, radar e makina inteligjente – Policia e Shtetit publikon pamje nga shkeljet në trafik

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se po monitorojnë intensivisht me dron, radar e makina inteligjente në të gjitha akset e qarkut, për të parandaluar ngjarjet rrugore me pasoja, si dhe për të menaxhuar trafikun, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror.
Në njoftim bëhet e ditur se ndër fokuset e punës së Policisë Rrugore të Gjirokastrës janë evidentimi dhe ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve që drejtojnë mjetin, në efektin e alkoolit, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, kryejnë parakalime të gabuara dhe kalojnë limitin e shpejtësisë, shkelje që përbëjnë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore.
Si rezultat i monitorimit, gjatë periudhës 17-23.08.2026, janë proceduar penalisht 3 drejtues mjetesh për veprat penale "Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt" dhe "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor", si dhe janë pezulluar 24 leje drejtimi.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë vendosur gjithsej 1383 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht:
288 masa për parakalime të gabuara;
449 masa për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara;
455 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar;
14 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
2 masa për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit;
4 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
171 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore e Gjirokastrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë rrugore.
“Ftojmë qytetarët që të denoncojnë, në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”. /Telegrafi/





































