Molliqaj: Zgjedhjet po vijnë nga lufta për pushtet – PSD hyn në garë për të ndërtuar opozitë

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka deklaruar se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë nuk janë rezultat i kërkesës së PSD-së, por i përplasjes për pushtet mes pozitës dhe opozitës.
Në “Përballje Podcast”, ai theksoi se PSD ka kërkuar zgjedhje nga një pozicion parimor, për t’ia lënë vendimin qytetarëve, por sipas tij, zhvillimet aktuale kanë një tjetër logjikë politike.
“Unë besoj që arsyeja pse po shkojmë në zgjedhje nuk është se ka lyp PSD-ja… PSD-ja ka lyp me shku në zgjedhje me i thanë qytetarit: ja ke jep Kryeministrit Kurti 51 për qind, vendosni prapë vetë”, deklaroi Molliqaj.
Sipas tij, arsyeja kryesore pse vendi po shkon në zgjedhje lidhet me kalkulimet politike të partive.
“Po shkojmë në zgjedhje për ndarje pushteti. Opozita po don pak më shumë hise në pushtetin e Kurtit, ndërsa Kurti po don me marrë pushtet edhe ma shumë… pra të dy palët po shkojnë në zgjedhje për këtë arsye”, tha ai shkruan Telergafi.
Molliqaj shtoi se, ndryshe nga PSD, partitë tjera kanë zgjedhur të hyjnë në negociata me kryeministrin Albin Kurti, në vend që t’ia lënë fjalën qytetarëve.
“Ne nuk himë fare në negociata me kryeministrin Kurti… shkojmë në zgjedhje dhe le të vendosin qytetarët nëse e rrisin apo e zvogëlojnë mbështetjen”, u shpreh ai.
Molliqaj konfirmoi se PSD do të marrë pjesë në zgjedhje për herë të parë në nivel parlamentar, pas disa cikleve ku nuk kishte garuar.
“Kjo është hera e parë që PSD-ja po shkon në zgjedhje parlamentare… por ne nuk po shkojmë për me marrë pushtet”, tha ai.
Sipas liderit të PSD-së, arsyeja kryesore e pjesëmarrjes së partisë në zgjedhje është mungesa e një opozite të mirëfilltë në vend
“Ne po mendojmë që Kosovës i mungon opozita", deklaroi Molliqaj.
Ai theksoi se oferta e PSD-së është ndërtimi i një opozite të re, me ide dhe qëndrime të qarta politike, duke e konsideruar këtë si nevojë urgjente për sistemin politik në vend. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com





















































