LAJMI I FUNDIT:

Mogherini dhe Hahn flasin për hyrjen në fuqi të MSA-së

Mogherini dhe Hahn flasin për hyrjen në fuqi të MSA-së

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës e cila hyri në fuqi sot krijon një raport kontraktues i cili vë të drejta dhe obligime të dyanshme dhe i cili mbulon një numër të gjerë sektorësh.

Në një komunikatë për media të Komisionit Evropian ku citohet përfaqësuesja e lartë Federica Mogherini dhe komisioneri Johannes Hahn thuhet se kjo marrëveshje do të mbështesë implementimin e reformave dhe do t’i japë Kosovës mundësi për të lëvizur më afër Evropës.


“Kjo marrëveshje hap një fazë të re në marrëdhëniet BE-Kosovë dhe paraqet një kontribut të rëndësishëm për paqe, stabilitet dhe prosperitet në Kosovë dhe në rajon në përgjithësi. Unë pres zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha përfaqësuesja e lartë Mogherini.

Ndërsa, komisioneri Hahn citohet të ketë thënë se pret me padurim vizitën e tij të radhës në Kosovë.

“Kjo marrëveshje është një moment historik për marrëdhëniet BE-Kosovë: ajo do të ndihmojë Kosovën në rrugën e reformave dhe do të krijojë mundësi për tregti dhe investim. Pres me padurim vizitën time të ardhshme në Prishtinë për të shënuar këtë moment të rëndësishëm dhe për t’u shpjeguar bizneseve kosovare, investitorëve dhe publikut të gjerë të mirat që mund të sjellë ajo në drejtim të rritjes ekonomike dhe punësimit”, citon KP të ketë thënë komisionari, Johannes Hahn.

MSA-ja fokusohet në respektimin e parimeve demokratike kryesore dhe elementeve kryesore që janë thelbi i tregut të vetëm të BE-së. MSA-ja do të krijojë një zonë që mundëson tregti të lirë dhe zbatim të standardeve evropiane në fusha të tjera, të tilla si konkurrenca, ndihma e shtetit dhe prona intelektuale.

Dispozitat e tjera mbulojnë dialogun politik, bashkëpunimin në një numër të madh sektorësh, duke filluar nga arsimi dhe punësimi deri te energjia, mjedisi, drejtësia dhe punët e brendshme.