LAJMI I FUNDIT:

Mobilizimi i bashkësive fetare për vaksinim

Mobilizimi i bashkësive fetare për vaksinim

Disa bashkësi fetare në Kosovë i janë bashkëngjitur Ministrisë së Shëndetësisë në fushatën për vaksinim kundër koronavirusit.

Bashkësia Islame e Kosovës, përveçse ka bërë thirrje për vaksinim, ka marrë pjesë edhe në organizmin e vaksinimit në xhami, përmes ekipeve mobile.


Më 19 nëntor, pas faljes së Xhumasë, në disa nga xhamitë më të mëdha të Kosovës janë vaksinuar dhjetëra besimtarë myslimanë, ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava, thotë për Radion Evropa e Lirë se parimet islame i urdhërojnë besimtarët myslimanë që të vaksinohen.

“Nëse nuk vaksinohemi, edhe mëkatojmë pa dashje, pasi i bëjmë keq tjetrit”, thotë Tërnava.

Myftiu, i cili vetë është vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, thotë se së paku dhjetë rituale të Xhumasë në 800 xhami të Kosovës i janë kushtuar çështjes së vaksinimit dhe respektimit të masave kundër koronavirusit.

Sipas tij, asnjë nga imamët e xhamive që janë në kuadër të BIK-ut, nuk kanë dalë kundër vaksinimit.

“Individë mund të ketë, por edhe ata nuk e njohin fenë. Sikur ta njohin fenë sa duhet, nuk do të thoshin ashtu”, thotë Tërnava.

Sylejman Berila, i cili të premten e 3 dhjetorit kishte shkuar për të falur Xhumanë në njërën prej xhamive të Prishtinës, tha se është vaksinuar.

“Kam ardhur të fal Xhumanë dhe i ftoj të gjithë të vaksinohen”, tha ai.

Rrahman Xhemajli, po ashtu besimtar mysliman, tha se është vaksinuar në një qendër vaksinimi, por ekipet mobile, sipas tij, janë lehtësim për ata që nuk janë vaksinuar ende.

“Duhet të merret vaksina, është diçka për shëndetin, pasi nesër nuk dihet se çfarë bëhet. Duhet të kenë shumë kujdes, nuk është shaka, është serioze”, tha ai.

Përveç qendrave të vaksinimit, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka shpërndarë disa ekipe mobile në vend, ku qytetarët mund të vaksinohen.

Përmes aktiviteteve fetare, edhe Kisha Katolike në Kosovë ka bërë thirrje për vaksinim kundër koronavirusit.

Don Shan Zefi, kancelari ipeshkvor i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se mbi 50 për qind e qytetarëve të besimit katolik janë vaksinuar.

Ky komunitet në Kosovë numëron mbi 38,000 banorë.

“Nga ditët e para të koronavirusit, Kisha Katolike i ka përfillur të gjitha masat që janë marrë nga shteti i Kosovës. Mund të pohoj edhe personalisht se në të gjitha qendrat në Kosovë jemi përpjekur t’i bëjmë të vetëdijshëm besimtarët se ata duhet të vaksinohen, sepse është në të mirë të kishës, familjes dhe individit”, thotë ai.

Pastori Artur Krasniqi, i cili përfaqëson komunitetin protestant të Kosovës, thotë se në kishën e tyre nuk flasin për çështjen e vaksinimit.

“Çështja e vaksinimit është çështje personale dhe nuk ndërhyjmë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, sipas tij, shumica e njerëzve që frekuentojnë kishën protestante janë të vaksinuar.

“Nga 150 persona që vijnë në kishë, tre veta që e di unë, nuk janë të vaksinuar, për shkak të bindjes së tyre, mendojnë se [vaksina] është e dëmshme”, thotë Krasniqi, i cili vetë është i vaksinuar.

Në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë kanë bërë të ditur se janë duke punuar me të gjitha komunitetet fetare për të rritur shkallën e vaksinimit kundër koronavirusit, që aktualisht është mbi 42 për qind.

Sipas Ligjit për Lirinë Fetare, në Kosovë njihen pesë bashkësi fetare: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Bashkësia e Besimit Hebre dhe Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës.

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, nga rreth 1.8 milion banorë sa i ka Kosova, mbi 1.6 milion i takojnë besimit islam.

Sa u përket vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, në Mal të Zi, vetëm Bashkësia Islame ka bërë thirrje për vaksinim kundër koronavirusit. Kisha Ortodokse nuk ka bërë thirrje vaksinim, ndërsa ajo Katolike e ka lënë vendimin në duart e besimtarëve.

Bashkësitë fetare në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Serbi nuk kanë marrë pjesë në fushatën për vaksinim.

Bashkësia Islame në Bosnje e Hercegovinë ka thënë se nuk do të marrë qëndrim lidhur me këtë çështje, duke ua lënë qytetarëve të vendosin vetë, në konsultim me mjekët.

Në trend Lajme

Më shumë
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Ndryshimi i motit, IHMK njofton për shi dhe borë

Ndryshimi i motit, IHMK njofton për shi dhe borë

Lajme
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Drejtësi
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Kalo në kategori