Mjerë ai komb që i ka urtakët memecë në pleqëri dhe burrat e fortë ende në djep

Nga: Kahlil Gibran (pjesë nga “Kopshti i Profetit”)
Përktheu: Agron Shala
Mjerë ai komb që është plot me besime dhe bosh nga feja.
Mjerë ai komb që vesh rrobën që s’e ka endur vetë, që ha bukën që nuk e korr vetë dhe që pi verën që s’ka rrjedhur nga shtrydhësja e vet.
Mjerë ai komb që shpall mujsharin hero dhe që pushtuesin me parzmore e cilëson bujar.
Mjerë ai komb që përbuz pasionin në ëndrrën e vet, por i nënshtrohet kur zgjohet.
Mjerë ai komb që nuk e ngre zërin përveçse kur ecën në një varrim, që nuk mburret përveçse mes rrënojave të veta dhe që nuk rebelohet përveçse kur qafa e tij gjendet mes shpatës dhe cungut.
Mjerë ai komb, burrështetasi i të cilit është dhelpra, filozofi i të cilit është mashtruesi dhe arti i të cilit është arti i arnimit dhe imitimit.
Mjerë ai komb që e mirëpret sundimtarin e ri me trumbetime dhe e përcjell me fërshëllima, vetëm për të mirëpritur një tjetër sërish me trumbetime.
Mjerë ai komb, urtakët e të cilit janë memecë nga pleqëria dhe burrat e fortë të të cilit janë ende në djep.
Mjerë ai komb i ndarë në pjesë, ku çdo pjesë e quan veten komb.
- Lexo po ashtu: “Mjerë ai komb” nga Lawrence Ferlinghetti (sipas Kahlil Gibranit)




















































