LAJMI I FUNDIT:

Mirënjohja si akt qytetarie dhe kulture

Mirënjohja si akt qytetarie dhe kulture
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

24 marsi i vitit 1999 mbetet një ndër ditët më të veçanta të historisë së shqiptarëve të Kosovës, sidomos për ata që në vitet 1998-1999 kanë jetuar në Kosovë. Kjo datë paraqet kthesën e madhe; e përbën fillimin e fundit të një robërie shekullore.

Frika, tmerri, por edhe një shpresë e madhe se liria është afër, vërehej gjithandej tek popullata shqiptare. Por, kishte edhe frikë. Shumë frikë. Sepse, robëruesit kishin arritur të fusnin panik dhe pasiguri totale. Kjo vërehej tek secili – tek fëmijët, gratë, të rinjtë, pleqtë…


Prizreni ka qenë një prej caqeve të para të sulmeve me raketat Tomahawk. Kurrë nuk do ta harrojë mëngjesin e datës 25 mars, kur në kazermën ushtarake të ushtrisë robëruese, 10 metra larg shtëpisë ku jetoj, ra bomba e parë. Ishte diçka jashtë imagjinatës dhe logjikës. Shikonim tymin dhe flakët tek dilnin nga ambientet e trupave okupatore. Përkundër frikës, thellë brenda nesh e dinim se diçka e bukur për ne po vjen. Dhe, ashtu ndodhi: erdhi liria!

Por, a jemi mirënjohës ndaj atyre që na sollën lirinë?

Vështirë ta japim një mendim të prerë. Personalisht nuk jam shumë i sigurt për këtë. Nuk ka asnjë dyshim se në rrugëtimin tonë drejtë lirisë kanë kontribuar shumë faktorë. Por, akti final i lirisë u mundësua nga vetëm dy faktorë. Faktori i parë gjithsesi lidhet me gjakun e luftëtarëve të lirisë dhe të martirëve. Por, në mënyrë të veçantë liria jonë ka një emër që përbëhet nga dy shtete: ShBA-ja dhe Britania e Madhe. Jo rrallë kemi parë dhe dëgjuar se si disa shqiptarë të Kosovës kanë tendencë të shpërnjohin rolin e këtyre të fundit. Madje, ka pasur tendencë që kontributi i tyre të lidhet edhe gjoja me synimet e qëllimet imperialiste, interesat strategjike politike dhe ushtarake, me uraniumin, me thesar e shumë teori tjera idiote komploti. Personalisht, nuk kam dyshim se intervenimi i tyre ka qenë i mbështetur në qëllime humanitare. Kanë qenë të sigurt se mos intervenimi do të çojë në asgjësimin e shqiptarëve të Kosovës.

Thonë së themeli i qytetarisë dhe kulturës së një individi, por edhe të një populli, qëndron tek shprehja e mirënjohjes. Por, është edhe e kundërta. Mosmirënjohja është akt ligësie. Edhe populli jonë e thotë ngjashëm, se njeriu më i ulët, personi më i poshtër është ‘bukëshkelësi’ – ai që nuk ia di të mirën, apo ia harron të mirën tjetrit.

Andaj, të thuash “faleminderit” është dëshmi e kulturës dhe çelësi i miqësive jo vetëm personale njerëzore, por edhe mes popujve të ndryshëm. Ka diçka të shenjtë që nënat i detyrojnë fëmijët të thonë “faleminderit”. Nuk i mësojnë të jenë mirënjohës vetëm se kjo është thjesht mirësjellje, një hijeshi shoqërore. I mësojnë sepse e dinë se mirënjohja e falënderimi është çelësi që e mban shoqërinë e bashkuar.

Asnjëherë nuk duhet të ndalemi së shprehuri mirënjohjen tonë për ShBA-në dhe për Britaninë e Madhe, si dhe për shtetet tjera perëndimore. Është e sigurt se, pa ndihmën e tyre, liria jonë vështirë që do të vinte. Andaj, faleminderit!