LAJMI I FUNDIT:

Mirela Kanini: Unë nuk jetoj mbi vullkan, por vullkani jeton në mua

Mirela Kanini: Unë nuk jetoj mbi vullkan, por vullkani jeton në mua

Shkrimtarja e vyer dhe karizmatike, Mirela Kanini, ka 26 vjet që jeton dhe krijon në SHBA. Rrethanat e dërguan atje, si një dallëndyshe, por vendlindjen Tiranën (xhanën), nuk e largon nga mendja dhe zemra edhe krijuese

Mirela me një sharmë të (pa)patë, siç është edhe vetë, trajton tema tabu, ose top sekret. Kjo ka bërë që të përfitoj zemrat e lexuesve, kudo në planet!


Bisedoi: Shaqir Foniqi

Shkrimtarja Kanini ka një bagazh intelektual dhe një korpus idesh për tema të ndjeshme. Shkrimet e saja janë të dobishme dhe gjithëpërfshirëse. Librat e saj i dedikohen çdo lexuesi dhe përmbajnë një mesazh të qartë,

Miqësore, mirënjohëse dhe grua e firmuar intelektualisht, me një shpirt të lirë e të madh, ajo me kënaqësi të papërmbajtur, pranoj që të japë intervistën e parë për lexuesin kosovar.

Mirela Kanini është një grua komplete, por miqësore dhe modeste. Për mē shumē, lexojeni intervistën ekskluzive me të.

Zj. Mirela, duket se nuk mund t’i ikim pyetjes rutinë, kush është Mirela Kanini. Ecejaket tuaja nëpër kapërcyell të kohës?

Unë, Mirela Kanini, jam një autore, gjithashtu sipërmarrëse e kompanisë RICHE ORGANICS CO.USA, jam bashkëshorte dhe nënë e dy fëmijëve. Lindur dhe rritur në Tiranë, por që kam emigruar para 26 viteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot jetoj në periferi të Chicagos.

Megjithatë, rruga juaj kishte dritëhijet dhe nuk ishte krejt e shtruar në lule?

Patjetër, dritëhijet janë të pashmangshme dhe pjesë e jetës me të cilat ndeshesh vazhdimisht. Por, do thosha që ndonjëherë vendosja gjeografike dhe historia sikur na rëndojnë të gjithëve nga pak mbi supe. Nuk ka qenë e lehtë, së pari nuk kemi qenë të lirë të lëviznim lirisht nëpër botë pa llogaritur mungesat e tjera. Më është dukur gjithmonë që ne si shqiptarë e kemi pasur shumë herë më të vështirë jetën në krahasim me evropianët e tjerë. Nuk e kam pasur të shtruar me lule dhe jo vetëm aq. Por jeta të mëson të notosh nëpër gjëra derisa të gjesh bregun dhe vendin që të takon.

Por, ia keni dalur mbanë dhe keni bërë emër edhe në një mjedis të madh shqiptaro-amerikan?

Mendoj se po, me punë, disiplinë dhe sakrifica kam arritur t’i realizoj shumë gjëra që kam dëshiruar dhe ëndërruar në jetë. Amerika është vendi ku i jepet oportunitet të gjithëve, ku përfshihem dhe unë.

Dihet se Amerika mike ishte vendi ku kishte pritur mendje të ndritura shqiptare, duke filluar nga Noli, Konica, deri tek Vatra. Sa ka hapësirë atje për t’u marrë me shkrime dhe sa çmohet krijimtaria, pavarësisht cilit zhanër i përket?

Përfytyrimi për Amerikën është sikur këtu punohet dhe asgjë më shumë. E vërteta është se çdo individ e zgjedh vetë si e shfrytëzon kohën e lirë. Personalisht jam planifikuese nga natyra dhe në 24-orët që na jepen në ditë e gjej kohën të shkruaj. Mendoj që me teknologjinë, njerëzit kanë tashmë më shumë opsione për të lexuar. Ata mund të lexojnë ose dëgjojnë një libër sot në audiobook nga telefoni, në metro, në avion, në makinë, ecj. Për sa i përket zhanrit që pëlqehet, ajo është zgjedhje në bazë të shijeve.

Ju shkruani, kryesisht prozë dokumentare. Libri juaj “Trafikanti”, ka bërë bujë edhe për temën të cilën e trajton. Sa është brengosëse kjo ndër të rinjtë tanë dhe cilët janë faktorët determinant të hyrjes në këtë hulli të errët?

Libri “Trafikanti” është një libër që në qendër ka një histori të pazakonshme dashurie midis një trafikanti shqiptar dhe avokates së tij shqiptaro-amerikane. Jo pa qëllim është bërë një ndërthurje e tille, por për ta futur thellë lexuesin në psikologjinë e karaktereve me origjinë të njëjtë, por rritur në ambiente të ndryshme. Nëpërmjet ngjarjeve që trajtohen e shtjellohen në libër, herë të frikshme e herë të dhimbshme, si te thuash gjendemi përballë dilemës midis mirëkuptimit dhe paragjykimit. Mendoj se çfarë i ka shtyrë shqiptarët drejt asaj rrugë ka qenë më shumë varfëria dhe dëshpërimi për një jetë më të mirë. Kur mungojnë mundësitë e duhura si puna dhe problemet sociale apo domestike në familje janë shqetësuese, atëherë krijohet territori i favorshëm për të rebeluar.

Në Shqipëri po zhvillohet një referendum për legalizimin e kanabisit. Cili është qëndrimi juaj, lidhur me këtë temë dilemë dhe tabu?

Përsa i përket legalizimit të kanabisit në Shqipëri, mendoj që është diçka që do ndodhi edhe në shumë vende të Evropës, siç ndodhi në Amerikë. Për shumë njerëz kjo përbën një shqetësim sikur do të përdoret masivisht nëse lejohet. Mos harrojmë që dhe alkooli dikur ka qenë i ndaluar dhe me legalizimin e tij nuk do të thotë që të gjithë u shndërruan në pijanecë. Në fakt, arrestimet pas legalizimit në Kolorado si vendi i parë, ranë ndjeshëm. Kur kontrollohet nga shteti, jo vetëm që konkurron kartelet, por merr dhe taksë për mëkëmbjen e ekonomisë. Problemi qëndron tek shteti dhe shpresoj që ai në fuqi të ketë qëllime të sinqerta për të mirën e popullit. Sa për mendimin tim personal, duke u nisur nga te mirat shëndetësore që ka vaji i kanabisit, jam pro legalizimit.

Ju së fundmi keni dalur edhe me librin e radhës në anglisht. Për çfarë libri bëhet fjalë dhe si është pritur dalja e tij?

Libri që sapo doli në anglisht “The sins of Mrs. Ema”, ka dalë fillimisht në shqip dhe nuk kishte si të ishte ndryshe. Lexuesi shqiptar ishte i pari që i dha vlerësimin dhe më nxiti më tej. Ka vetëm një muaj që ka dalë dhe është pritur mirë nga lexuesit, jo vetëm në Amerikë, por edhe ne vende të tjera ku është në disponim. Libri në përmbajtje ka dilemën njerëzore se kush është më e rëndësishme, paraja apo dashuria. Nuk di a i zgjedh unë këto tema provokative apo ato më zgjedhin mua. Trajton një temë pak delikate për shoqërinë tonë sidomos disa gjëra vazhdojnë të jene tabu. Si për shembull, çfarë zgjidhje duhet t’i japim nëse gjendemi në një martesë të gabuar. Por a është martesa e gabuar kur ti ke gjithçka të mundshme? Ema na fut nëpër labirintet e jetës së saj dhe pastaj është lexuesi ai që gjendet përballë saj. Herë e duan, herë e urrejnë, herë e mirëkuptojnë. Po sikur ajo të mos jetë fajtore? Për më keq, fati e takon me njeriun e duhur në kohën e gabuar. Po kush konsiderohet njeriu i duhur në jetë. Nuk është thjesht një romancë, por një triler psikologjik që o provokon mendimet lexuesve dhe ata nxjerrin vetë mesazhin që përcjell libri.

Shkrimtari e ka shtëpinë mbi Vezuv (vullkan). A pajtoheni me këtë vlerësim?

Pa dyshim pajtohem, madje më duket sikur kjo shprehje më përshtatet. Unë jetoj me vullkanin brenda meje, jo sipër tij që herë pas here duhet të shpërthejë në formën e një libri.

Si e përjetoni daljen e një libri dhe çka do të thotë për ju marrja aktive me shkrime?

Dalja e një libri është një proces që të mban në tension që nga fillimi e derisa bie në duart e lexuesit. Mbaj marrëdhënie të mira me ta dhe më gjejnë në Facebook dhe Instagram në faqet e mia publike. Të shkruarit për mua është domosdoshmëri.

Keni paralajmëruar edhe një libër tjetër dhe një vizitë të gjatë në Tiranë për tē grumbulluar material. Nëse nuk është fshehtësi krijuese, a mund të na thoni së paku syzheun e librit?

Po, është e vërtetë dhe shpresoj ta realizoj atë gjë. Shqipëria është minierë ngjarjesh dhe karakteresh dhe dua të dëgjoj sa më shumë histori njerëzish nga afër. Zakonisht nuk jap asnjë detaj për librin e radhës, por po bëj një përjashtim. Ketë radhë do guxoj me religjionin. Sigurisht të ndërthurura me një histori dashurie për t’i zbutur pak gjërat. Dashuria është religjion me vete dhe ka thyer shume barriera, por ka pasur dhe shumë konsekuenca.

Njerëzit që merren me shkrime, sikur janë misionar të lartë, për të sjell mirësi në botë. Si e shikoni ju botën si krijuese. Po vuan ajo për diçka?

Duke u nisur nga këndvështrimi i lexuesit, unë botën krijuese e shoh si diçka argëtuese që na lejon të arratisemi për pak nga realiteti. Aty gjejmë plotësim shpirtëror, ndërkohë që influencohemi sepse ne jemi gjithshtu edhe librat që lexojmë. Bota krijuese nuk do vuajë nga asgjë për aq kohë sa është e lirë.

Shkrimtarët kur marrin të shkruajnë identifikohen me personazhin, pra hyjnë në botën e tyre. A ndodh kjo me ju?

Po, më ndodh. Zakonisht nxitja merret nga diçka e vërtetë që më ngacmon imagjinatën. Pastaj kur krijoj, më duket sikur ndërthurëm hera-herës me karakteret e librit.

Ndonëse moti e keni braktisur Shqipërinë, duket se malli për atdheun, sikur të gërryen. Sa e ndjeni ju mungesën e Atdheut?

Vërtet unë u largova nga atdheu, por atdheu nuk u largua kurrë nga mua. E kam kudo me vete. Kam mall për gjërat më të thjeshta, miqtë, të afërmit, rrugët, ambientet, atë copë jete që e kam lënë pas. Kam mall por dhe dhimbje kur shoh gjera të padëshiruara që ndodhin atje.

Ja, edhe një pyetje, që hyn në korpusin e pyetjeve rutinë. Pse shkruani?

Shkruaj sepse nuk gjej dot qetësi po nuk e bëra këtë gjë. Shkruaj me mendimin se nëse influencoj sikur një njeri të vetëm me librat e mi, atëherë kam kryer misionin tim njerëzor.

Meqë kjo është intervista juaj e parë për lexuesin e Kosovës, sigurisht keni ndonjë porosi dhe mbase edhe e keni në plan ndonjë vizitë-surprizë?

Kosova ka një vend special ne zemrën time për nga vlerat që përcjell. Kosova është trime dhe bujare, Kosova është vendi i talenteve botërore. Është në listën time dhe do e vizitoj me kënaqësi. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Skandali i ri diplomatik i Vuçiqit në New York – ofendoi sllovenët, vjen reagimi i ashpër i Lubjanës zyrtare

Skandali i ri diplomatik i Vuçiqit në New York – ofendoi sllovenët, vjen reagimi i ashpër i Lubjanës zyrtare

Botë
KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

Politikë
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Bujar Osmani shpall fitore: Dallimi është mbi 40 mijë vota ndaj Taravarit

Bujar Osmani shpall fitore: Dallimi është mbi 40 mijë vota ndaj Taravarit

Politikë
Zgjedhjet në RMV, Abdixhiku: Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë me një kandidat, sot do të ishin në balotazh

Zgjedhjet në RMV, Abdixhiku: Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë me një kandidat, sot do të ishin në balotazh

Lajme
Del rezultati përfundimtar në Gostivar, këto janë rezultatet

Del rezultati përfundimtar në Gostivar, këto janë rezultatet

Politikë
Kalo në kategori