LAJMI I FUNDIT:

Miratohet vendimi i Qeverisë për zgjedhjen e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale

Miratohet vendimi i Qeverisë për zgjedhjen e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale

Komisioni parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti për Ekonomi me gjashtë vota për ka mbështetur vendimin e Qeverisë për aprovimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Kosmonte Foods”.

Komisioni në fjalë në dy mbledhjet e kaluara ka shqyrtuar këtë vendim, për të cilin ka pasur kritika nga opozita.


Kryetari i këtij Komisioni, Ferat Shala theksoi se debati për këtë vendim është shterur në dy mbledhjet e kaluara.

“Ne për këtë pikë kemi diskutuar së paku dy herë në Komision dhe konsideroj që debati është shterur. Ka mbetur në mungesë të kuorumit çështja e votimit dhe besoj që është koha të qesim në votim dhe të procedojmë më tutje. Me 6 vota për, miratohet vendimi i Qeverisë”, tha Shala, përcjell KP.

Po ashtu, deputetët kanë miratuar vendimin e Qeverisë për zgjedhjen e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Shala tha se përkundër vonesave të mëdha, procesi i përzgjedhjes së këtij Bordit ka shkuar në terr informativ.

“Në parim, ne jemi vonuar shumë, kemi pasur një konkurs që është anuluar nga Qeveria, i cili ka qenë i monitoruar nga kompania angleze dhe në momentin e procedimit në Kuvend është kthyer konkursi në pikën zero. Është ri-shpallur konkursi sipas ligjit, por përkundër vonesave të mëdha, ajo çka unë mendoj, dhe vërejtje për proces verbal, është që tërë procesi i përzgjedhjes së Komisionit për Miniera dhe Minerale ka shkuar në terr informativ pa asnjë mekanizëm të monitorimit nga asnjë organizatë qeveritare dhe joqeveritare. Një Komision i vendosur nga Qeveria dhe sot e kemi këtë përbërje. Procedurën kanë përcjellë edhe shkelje të tjera, por megjithatë, unë do të rezervohem sot përhirë të procesit dhe nevojës që ka Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale që ta ketë megjithatë bordin, ku janë më shumë se 250 kërkesa dhe lëndë që presin në këtë Komision për t’u zgjidhur”, theksoi Shala. /Telegrafi/