LAJMI I FUNDIT:

Miratohet projekt buxheti 2024, paga mesatare në Shqipëri pritet të shkojë në 900 euro

Miratohet projekt buxheti 2024, paga mesatare në Shqipëri pritet të shkojë në 900 euro

Gjatë vitit 2024 qeveria synon që niveli i pagës të shkojë në 900 euro. Kjo u bë e ditur nga ministri i Ekonomisë, Ervin Mete, i cili, në një deklaratë për mediat, bëri të ditur se në mbledhjen e të premtes të Këshillit të Ministrave, është miratuar projektbuxheti për vitin 2024.

Sipas tij, projektbuxheti 2024 ka si ambicje rritjen e pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur nga qeveria për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj.


Projektbuxheti parashikon gjithashtu edhe një fond prej 11 miliardë lekësh për rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin parauniversitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qëndrore dhe vendore.

“Në total, efekti i përgjithshëm në buxhet për financimin e kësaj reforme madhore në sistemin e pagave kap vlerën 39 miliardë lekë.”, tha Mete.

Gjithashtu, projektbuxheti parashikon financimin e indeksimit të pensioneve, i cili në dy vitet e fundit kap shifrën rreth 25 miliardë lekë.

“Vijon mbështetja për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, duke alokuar rreth 33%, 1/3 e shpenzimeve të përgjithshme publike për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, etj.”, bëri të ditur kreu i financave.

Sipas Mete, ky projektbuxhet vendos edhe një nivel të ri, lidhur me planifikimin e shpenzimeve publike që tejkalojnë 7 miliardë euro.

Zhvllimi ekonomik

Projektbuxheti, sipas ministrit të Financave, mbështet zhvillimin e mëtejshëm ekonomik, nxitjen e punësimit dhe mbrojtjen sociale, duke synuar në të njëjtën kohë balancën e duhur të ekuilibrave makroekonomikë dhe fiskalë.

“Siç vlerësoi sot edhe FMN, ekonomia shqiptare shfaqet si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, duke hyrë tashmë në një fazë te re. Konjuktura aktuale e favorshme krijon mundësi për të shtyrë përpara një seri reformash, për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Në projeksionet tona, ne parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8% për vitin e ardhshëm, një balancë primare pozitive, konsolidim të mëtejshëm fiskal, rritje të punësimit dhe ulje të inflacionit. Ambicja jonë është që siç kemi qënë një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, të synojmë të jemi një nga destinacionet kryesore në rajon sa i përket turizmit, duke synuar në të njëjtën kohë të ofrojmë punësim cilësor dhe ndër pagat më të larta në rajon.”, informoi ministry.

Investimet publike

Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024, sipas prjektbuxhetit të miratuar në qeveri, do të jetë mbi 5% të PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin.

Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit. Gjithashtu, projektbuxheti vijon të financojë procesin e rindërtimit, në vijim edhe të mbështetjes së dhënë përmes Aktit Normativ.

“Respektohet niveli i kërkuar lidhur me angazhimet e anëtarësimit në NATO, me 2% të PBB-së në vitin 2024 dhe kjo arrihet për herë të parë.’, tha Mete.

Pushteti vendor

Projektbuxheti pritet të rrisë ndjeshëm buxhetin në dispozicion për njësitë e pushtetit vendor, ku për vitin 2024 shpenzimet parashikohen të jenë 71 miliardë lekë, ose 10.4% më shumë se buxheti i vitit 2023.

Pjesë e rëndësishme e buxhetit të pushtetit vendor është granti i qeverisjes qëndrore për njësitë vendore në masën 36.5 miliardë lekë.

Paketa fiskale

Sa i përket paketës fiskale, nuk do të ketë prekje të TVSH-së në sektorin e arsimit dhe në shërbimet financiare.

“Këtë e kemi diskutuar edhe me FMN-në, me të cilët kemi dakordësuar të rishikojmë Strategjinë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave, me fokus kryesisht përmirësimin e administrimit fiskal. Lidhur me akcizën, edhe pse ligji parashikon që të ketë indeksim të normës së akcizës, bazuar në nivelin kumulativ të inflacionit çdo dy vite, në vlerësimin tonë, nisur nga niveli i pazakontë i inflacionit në dy vitet e kaluara, kjo masë e ligjit do duhet të ndryshojë. Ndaj propozojmë vendosjen e një tavani prej 1.5% indeksim çdo dy vite. Gjithashtu, në procedurat tatimore janë vendosur një sërë rregullash për shkëmbimin e informacionit me autoritetet tatimore homologe, në mënyrë që të sigurohet informacion periodik nga kompanitë mëmë të grupeve ndërkombëtare që kanë degë apo filiale që operojnë në Shqipëri.
Më tej, sqarohen procedurat që kanë të bëjnë me marrëveshjet e eleminimit të taksimit të dyfishtë, në mënyrë që të ketë me tepër mirëadministrim në këtë fushë.”, theksoi Meta.

Me miratimin në Këshillin e Ministrave, projektbuxheti 2024 dhe paketa fiskale do t’i nënshtrohen një faze të gjerë diskutimesh në komisionet parlamentare.