LAJMI I FUNDIT:

“Miqtë e Amerikës” nderojnë mbretëreshën Elizabeth II

“Miqtë e Amerikës” nderojnë mbretëreshën Elizabeth II

Në nderim të mbretëreshës së Britanisë së Madhe Elizabeth II, e cila ndërroi jetë të enjten në moshën 96-vjeçare, Shoqata “Miqtë e Amerikës” ka ndezur sot qirinj dhe ka ulur në gjysmë-shtizë flamurin amerikan.

Agim Rexhepi, kryetar i shoqatës, tha se mbretëresha Elizabeth II ishte figurë e shquar, e cila së bashku me shtetin britanik ndihmuan Kosovën para dhe pas luftës.

“Këtë eveniment e kemi organizuar me shumë dëshirë dhe respekt. Mbretëresha Elizabeth II është një personalitet karizmatik, e cila në shikim të parë duket që vetëm ka efekte ose veprimet ceremoniale në Britani të Madhe, mirëpo historia ka dëshmuar që ajo zonjë apo oborri mbretërore britanik ka ndikim dhe efekte të jashtëzakonshme. Efektet të tjera, të cilat më kanë shtyrë mua, por besoj edhe të gjithë popullit shqiptar për një veprim të tillë, është se Britania e Madhe, institucionet britanike, populli britanik para luftës, gjatë luftës, por edhe pas luftës kanë bërë veprim të jashtëzakonshme, së pari për ta ruajtur substancën e popullit tonë, pastaj në krijimin e institucioneve politike dhe ushtarake të shtetit të ri të Kosovës”, tha ai.

Rexhepi ka arsyetuar ndërmarrjen e këtij veprimi, siç e quajti ai simbolik, në nderim të mbretëreshës britanike.

“Jemi të vetëdijshëm që ky veprim ndoshta nuk është dashur të bëhet nga ne si Shoqatë “Miqtë e Amerikës”, por duke e parë që të tjerët nuk vepruan, na u duk e arsyeshme që së paku me një veprim simbolik ta bëjmë një respekt nga shpirti dhe nga zemra ndaj mbretëreshës Elizabeth II, ndaj Britanisë së Madhe dhe popullit britanik”, tha ai.

Flamuri në gjysmë-shtizë do të qëndrojë për pesë ditë radhazi. Mbretëresha Elizabeth II do të varroset më 19 shtator./kp/